Maqedoni
BDI për shkollat fillore të Çairit: Pasiguri, mungesë kushtesh elementare
20.02.2026 14:28
BDI shpreh shqetësim për kushtet e sigurisë, higjienës në shkollat fillore të Çairit...

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim për kushtet e sigurisë, higjienës në shkollat fillore të Çairit. Sipas gjetjeve të këtij subjekti, bazuar në përgjigjet e mbi 200 prindërve, ka indikatorë të qartë mbi shqetësimet e tyre që kërkojnë reagim institucional. Gjysma e këtyre prindërve, sipas opozitës shqiptare, nuk e ndjejnë sigurinë e fëmijëve në shkollë, ambientet shkollore pak apo aspak të sigurta, mungesë ndriçimi, dhe pasiguri në vajtje dhe ardhje të fëmijëve nga shkolla, për shkak të rrethanave të rrugëve dhe komunikacionit. Andaj, kërkojnë reagim institucional për të cilën edhe kanë parashtruar kërkesë tek institucionet gjegjëse.
“Sekretariati për arsim dhe shkencë pranë BDI-së në Çair ka dorëzuar parashtresë zyrtare tek institucionet kompetente dhe relevante me kërkesë për realizimin e mbikëqyrjes së jashtëzakonshme inspektuese. Konstatimin formal të gjendjes faktike, ndërmarrjen e masave korrigjuese në përputhje me kompetencat ligjore, hartimi të një plani të strukturuar veprimi me afate të përcaktuara, si dhe informim transparent të publikut lidhur me ndërhyrjet potenciale. Siguria dhe mirëqenia e nxënësve nuk përbën vetëm çështje menaxheriale, por standard themelor të funksionimit institucional në arsim. Prandaj, çdo mangësi në këtë drejtim ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e procesit edukativo-arsimor, në zhvillimin psiko-fizik të fëmijëve dhe në besimin publik ndaj institucioneve.”, - theksuan nga BDI.
Sipas BDI-së, garantimi i kushteve të sigurta përbën detyrim të autoriteteve kompetente. Rekomandojnë komunën që të marrë përgjegjësi, ndërsa organet inspektuese të mbikëqyrin terrenin e rrethanave të arsimit në shkollat e komunës së Çairit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
