Maqedoni
Llaskarcë, filloi ndërtimi i kanalizimit dhe ujësjellësit
20.02.2026 14:44
Në fshatin Llaskarcë të komunës së Sarajit kanë filluar punimet për realizimin e projektit për ndërtimin e kanalizimit atmosferik dhe ujësjellësit....

Në fshatin Llaskarcë të komunës së Sarajit kanë filluar punimet për realizimin e projektit për ndërtimin e kanalizimit atmosferik dhe ujësjellësit. Ky projekt garanton zhvillim modern infrastrukturor të këtij vendbanimi. Në bazë të marrëveshjes parashihet realizimi i projektit brenda tre vitesh.
“Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinorë nga thirrja e dytë e kredisë hungareze ka siguruar mbi 85 milionë denarë për të realizuar këtë pjesë të projektit, sepse, siç tha kryetari i komunës bëhet fjalë për disa projekte që po fillojmë t’i realizojmë, përfshirë këtu edhe rregullimin e rrugëve që janë nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.”, - deklaroi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha.
Sa u përket vërshimeve të fundit që kapluan fshatrat e komunës së Sarajit dhe dëmet e shkaktuara, kryetari i kësaj komune, Muhamet Elmazi, tha se procedura e dëmshpërblimit përfundoi javën e ardhshme, më pas radhën e ka Qeveria.
“Pas vërshimeve shtabi emergjent ku ka pasur përfaqësues vet ministri i Mjedisit ka qenë pjesë e atij shtabi dhe institucionet relevante në kuadër të atij shtabi kemi dalë në terren. Tash vetëm se është faza përfundimtare ku komisioni për vlerësim bën vlerësimin e dëmeve dhe të njëjtat do të dorëzohen në qeveri për t'ia kompensuar të gjithë atyre banorëve dëmet nga vërshimet.”, - theksoi kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi.
Në Saraj ishte edhe zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, e cila e pyetur rreth autostradës Shkup-Bllacë tha se ka përfunduar procedura e tenderimit për ndërtimin e pjesës së dytë të autostradës dhe se po pritet përgjigje nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për një pjesë të kredisë.
“Nuk ka absolutisht hapësirë për shqetësim. Gjatë këtij viti kemi punuar intensivisht që të kalohen të gjitha procedurat e tenderimit. Ajo procedurë ka kaluar me sukses. Pas procedurës së mbylljes së tenderimit duhet të bëhet edhe evaluimi, i cili është bërë nga ana jonë, pasi që për autostradën Shkup-Bllacë kemi një pjesë të grantit dhe një pjesë të kredisë që merret nga banka evropiane për rikonstruim dhe zhvillim. Gjithçka tani varet edhe prej tyre. Presim sinjal pozitiv, d.m.th. i gjithë dokumentacioni është i dorëzuar në zyrat e tyre. Presim që ata ta evaluojnë dhe besoj që nuk do të ketë asnjë problem dhe asnjë vërejtje nga ana e tyre dhe kur ta marrim një përgjigje pozitive, shumë shpejt do të dalim në terren për fillimin e punimeve.”, - u shpreh zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shqairi.
Ndërtimi i autostradës Shkup - Bllacë ka filluar në vitin 2020. Punimet në fazën e parë rreth 2 km nisën në prill të vitit 2020. Projekti është i ndarë në dy faza, ku faza e dytë përfshin pjesën më të gjatë të autostradës. Afati për përfundimin e autostradës Shkup - Bllacë do të jetë viti 2028.
FLORIJE KAMBERI
