Maqedoni
Vrasja e të moshuarës në Çellopek, Prokuroria e Kumanovës dyshon për vrasës serik
20.02.2026 15:29
Një person i moshës 25-vjeçare është arrestuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit...

Një person i moshës 25-vjeçare është arrestuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit, pasi i njëjti dyshohet se ka vrarë një grua 79-vjeçare në fshatin Çellopek të komunës së Nagoriçit të Vjetër. Mbi të dyshuarin rëndojnë edhe dyshime se ai mund të jetë vrasës serik i grave të moshuara që jetonin vetëm.
“Në periudhën nga 27 janar deri më 12 shkurt 2026, i dyshuari 25-vjeçar në fshatin Çellopek, komuna e Nagoriçit të Vjetër, me qëllim mizor dhe të padrejtë i ka privuar jetën viktimës, një gruaje të lindur në vitin 1947. Me veprime të koordinuara intensive gjatë disa ditëve të fundit nga Prokuroria Publike Kumanovë dhe Qendra Hetimore pranë kësaj prokurorie, MPB-ja dhe ekipet e Institutit për Mjekësi Ligjore kanë siguruar prova që tregojnë lidhje të këtij rasti me disa raste të ngjashme në rajonin e Kumanovës. Për shkak të ngjashmërisë në zgjedhjen e viktimës dhe mënyrën mizore të kryerjes së veprës, po hetohet nëse edhe në ato raste bëhet fjalë për vrasje të kryera nga i njëjti autor.”, bëjnë të ditur nga Prokuroria, e cila ka urdhëruar gjithashtu ekspertizë psikiatrike për të dyshuarin.
