Maqedoni
Komisioni i Politikës së Jashtme, dështoi votimi i rezolutës për ish-krerët e Kosovës
20.02.2026 16:01
Në mungesë të kuorumit në Komisionin për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut...

Në mungesë të kuorumit në Komisionin për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka dështuar miratimi i propozim-rezolutës për respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor në gjykimin ndërkombëtar ndaj ish-krerëve të institucioneve të Republikës së Kosovës. Miratimi dështoi pasi deputetët maqedonas bojkotuan mbledhjen, duke pamundësuar sigurimin e kuorumit.
Në mbledhjen e komisionit ishin të pranishëm përfaqësues nga Fronti Evropian, VLEN, Aleanca për Shqiptarët, si dhe deputeti Rexhep Ismail nga partia E Majta, por propozimi nuk u hodh në votim, pasi nuk kishte shumicë të nevojshme për punë.
Paraprakisht deputeti Skender Rexhepi e quajti jodemokratike dhe jokorrekte sjelljen e deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. Sipas tij, me këtë rezolutë do t’i dëshmohej botës së qytetëruar se ne si shtet dimë t’i dalim në krah të vërtetës.
“Ashtu siç i kemi dalë në krah pranimit të pavarësisë së Kosovës, ashtu të gjithë duhet t’i dalim në krah që ta pranojmë drejtësinë e barabartë për udhëheqësit e UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës, të cilët as fije faji nuk kanë për atë për të cilën akuzohen.”, - deklaroi deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi.
Rezoluta për ish-krerët e Kosovës, shkëmbim akuzash BDI - VLEN
Ndërkohë deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, përmes një postimi në rrjetet sociale ka akuzuar deputetët e Koalicionit VLEN, se ende nuk e kanë nënshkruar Rezolutën për UÇK-në.
“Paramendojeni, deputetët e VLEN-it ende nuk e kanë nënshkruar Rezolutën e UÇK-së. Për çfarë po presin? A ju nevojitet leje edhe për këtë gjë nga shefi i tyre?”, shkruan Ademi.
Por, Bekim Qoku nga Koalicioni VLEN, në një postim të tij ka theksuar se VLEN-i ka deklaruar publikisht se e mbështet Rezolutën e dorëzuar në Kuvend për krerët e UÇK-së.
“Ne vlerësojmë se Lufta Çlirimtare e Kosovës është luftë e drejtë dhe e pastër, një luftë për mbrojtjen e pragut të shtëpisë. Nuk ka asgjë që mund ta njollosë këtë luftë dhe luftëtarët e saj. Në këtë çështje besoj se të gjithë shqiptarët janë unikë. Këtu nuk ka dallime partie, feje apo bindjesh politike. VLEN-i, me praninë e deputetëve në seancën e Komisionit, ku u diskutua kjo pikë e rendit të ditës, dëshmoi qartë përkrahjen e vet. Dhe vota është ajo që numërohet në Kuvend.”, theksoi Qoku.
Sipas tij, partia që erdhi në pushtet falë Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe që e mbajti pushtetin për 22 vjet, nuk bëri asgjë për veteranët e luftës, për UÇK-në në përgjithësi. Shumica prej tyre u detyruan ta braktisin vendin për të siguruar bukën e gojës.
Një pjesë e tyre kanë mbetur rrugëve. Po ashtu sipas Qokut, Ali Ahmeti personalisht, por as BDI-ja, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap kundër kësaj gjykate që nga themelimi i saj në vitin 2016. Sipas Qokut, BDI-ja dhe Ali Ahmeti e kanë keqpërdorur UÇK-në, vlerat dhe meritat e saj për pikë politike, ashtu siç po përdorin edhe këtë Rezolutë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
