Botë

Bordi i Paqes për Gazën, Rama dhe Osmani përkrah presidentit Tramp

20.02.2026 16:20

Shqipëria dhe Kosova ishin në mesin e shumë vendeve që u bënë pjesë...

Shqipëria dhe Kosova ishin në mesin e shumë vendeve që u bënë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën. Surprizë ishte fjalimi i kryeministrit Edi Rama, i cili e nisi me një kërkesë ndaj presidentit Tramp për çështjen në Hagë të ish-krerëve të UÇK-së për të cilët Prokuroria ka kërkuar gjithsej 180 vite burg.
 
“Për hir të Zotit, zoti president, le të bëjmë diçka përpara se, siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Në fund të ceremonisë, kryeministri Edi Rama bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, patën një bisedë me kreun e Shtëpisë së Bardhë. Osmani tha për mediat se kishin marrë garanci të fortë për mbështetje nga Trampi si për Hagën, ashtu edhe për tensionet me Serbinë.
 
“Dua të siguroj që i kemi diskutuar të dyja temat dhe kemi marrë garanci shumë të fuqishme për të cilën dua edhe njëherë të falënderoj presidentin Tramp. Natyrisht që kur të vijë momenti, edhe unë edhe kryeministri Rama do të flasim më në detaje lidhur me këtë çështje, por e kemi informuar në detaje për këto dy tema presidentin Tramp.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. 
 
Kryeministri i Shqipërisë i tha presidentit amerikan se padrejtësia ndaj 4 ish-krerëve në Hagë është nxitur nga i njëjti prokuror që përndoqi edhe vetë presidentin amerikan, duke iu referuar Xhek Smit. Ai drejtoi hetimet dhe çoi përpara procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
 
LULJETA NDOKA