Testimi ekstern, të shfrytëzohet e drejta e ankesës për gabimet

04.06.2015 15:16

Testimi ekstern, i cili po zbatohet në shkollat fillore dhe të mesme, po has në një numër të madh të gabimeve teknike dhe përmbajtësore, thonë nxënësit...

Ata ankohen se ka pyetje të cilat nuk janë të logjikshme, janë të parashtruara gabimisht dhe kanë vetëm një opsion për t’u përgjigjur. Nxënësit kërkojnë që gabime të tilla të mos përsëriten, sepse ndikojnë në suksesin përfundimtar dhe i demotivojnë ata për të mësuar.     

“Në testimin ekstern kishte gabime. Pyetja ishte e parashtruar në shqip me shkronja në gjuhën maqedonase, unë do dëshiroja që këto gabime të mos paraqiten, sepse ndikojnë në suksesin e përgjithshëm”- u shpreh një nxënës.

“Jam testuar në gjuhën maqedonase, ka pasur gabime të shumta në përmbajtje. Testi ka qenë i përzier, testi ka pasur gabime të shumta”- theksoi një nxënës.

“Ka pas disa gabime që nuk kanë qenë nga materiali dhe ministrisë i lutemi që ato gabime të përmirësohen dhe të mos ndikojnë në nota”- tha një nxënëse.

Ndërkohë, drejtori i Gjimnazit “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri, thotë se testimi ekstern ka filluar në kohë dhe nuk janë evidentuar probleme teknike. Sipas tij, është parashtruar vetëm një ankesë për gabim në lëndën e muzikës. Ai u bën thirrje nxënësve që gabimet të cilat i hasin dhe janë bërë, t’i paraqesin deri te Komisioni Shkollor, i cili pastaj këto ankesa do t’i parashtrojë deri tek Qendra Shtetërore e Provimeve.

“Besoj që edhe këta nxënës do ta shfrytëzojnë të drejtën e ankesës pas publikimit të rezultateve. Çdo nxënës ka të drejtë ankese dhe unë besoj që ata shprehin dëshirë të ankohen, prandaj mund ta shfrytëzojnë këtë të drejtë”- tha drejtori i Gjimnazit “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri.

Sipas Zeqirit, përvojat e deritanishme nga testimi ekstern i janarit dëshmojnë se ankesat që kanë qenë të bazuara janë marrë parasysh nga Qendra Shtetërore e Provimeve. Ankesat që do të parashtrohen nga nxënësit janë pa pagesë. (Flutura Latifi, TVM2)