Korridori 8, Mickoski inspekton punimet në autostradë

21.02.2026 15:36

Përfaqësuesit e ekzekutivit, në krye me kryeministrin Hristijan Mickoski...

Përfaqësuesit e ekzekutivit, në krye me kryeministrin Hristijan Mickoski, ministrin për Transport dhe Lidhje Aleksandar Nikollovski dhe drejtorin e NP “Rrugët Shtetërore” Koce Trajanovski, inspektuan punimet ndërtimore në një segment të autostradës Gostivar-Bujkojçan, pjesë e Koridorit 8, ku aktualisht po përfundojnë punimet e një ure.

Nikollovski dhe Trajanovski shprehën kënaqësinë e tyre për ritmin e realizimit të punimeve në terren dhe thanë se, përveç ndërtimit të segmenteve, paralelisht po punohet edhe në dislokimin e infrastrukturës nëntokësore dhe në ekspropriimin e pronave.

“Ndodhemi pranë një prej urave më të mëdha që po ndërtohen përgjatë këtij korridori, e cila, siç po e shihni, është në fazë përfundimtare. Kjo urë ka gjatësi 386 metra, ndërsa lartësia maksimale e shtyllave të saj është rreth 41 metra dhe përmban rreth 20 shtylla gjithsej. Kështu që kjo urë, por edhe ura tjetër që do të ndërtohet, përfaqësojnë një vepër inxhinierike dhe një sfidë, të cilën shpresojmë se do ta realizojnë po aq cilësisht sa kjo.” – tha Drejtori i NP “Rrugët shtetërore”, Koce Trajanovski.

“Është kënaqësi të shihet progres dhe rezultatet konkrete. Punojmë në mënyrë intensive në këtë pjesë rrugore, të quajtur Sekcioni i Dytë, respektivisht në segmentin e autostradës nga Gostivari drejt Bujkojçanit, i cili më pas duhet të lidhet nga Gostivarin deri në Tetovë. Në pjesën e poshtme, ky segment do të lidhet me autostradën e re që do të ndërtohet nga Bujkojçani deri në Kërçovë dhe nga Kërçova deri në Ohër - Strugë, autostradë që po ashtu është në progres”  - deklaroi Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski.

Varnes: Korridori 8 është aset strategjik

Edhe përfaqësuesit diplomatikë amerikanë në vend janë të kënaqur me punimet në terren dhe besojnë se kjo autostradë, përveç që do sjellë përfitime të mëdha ekonomike, ajo paraqet aset strategjik, për NATO-n, duke përforcuar kështu stabilitetin rajonal.

“Ky projekt paraqet më shumë se infrastrutkurë. Ajo mishëron përcaktimin tonë të përbashkët për integrim ekonomik rajonal, gadishmëri të NATO-s dhe prosperitet të Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor. Korridoriri 8 do të transformojë të ardhemn ekonomike të Maqedonisë së Veriut duke lidhur lindjen me perëndimin, do të lehtësojë tregtinë dhe do të krijojë mundësi për qytetarët tuaj. 40 km e autostradës që po ndërtohet janë urë lidhëse. Si aleate e NATO-s, Maqedonia e Veriut është pjesë e rëndësishme e gadishmërisë së NATO-s. Korridori tetë është aset strategjik, i cili do të mundësojë lëvizje ytë shpejtë të personelit dhe pajsijeve duke përforcuar kështu sigurinë tonë kolektive dhe stabilitetin rajonal.” – u shpreh Nikol Varnes, U.D Ambasadore e SHBA-venë Shkup.

Kjo qeveri është maksimalisht e përkushtuar në ndërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës rrugore, që lidh vendin me rajonin dhe jo vetëm,” - tha kryeministri Hristijan Mickoski, duke shtuar se këto projekte hapin edhe shumë mundësi ekonomike.

“Lidhshmëria, por edhe vetë pozicionimi gjeografik i vendit tonë duhet të shfrytëzohet si përparësi, ku ne do të jemi udhëkryq në rajon si një avantazh strategjik. Por jo vetëm kaq. Ne jemi pjesë e NATO-s, dhe përmes zbatimit të këtyre projekteve përgjatë korridoreve po përmirësohet rezistenca dhe siguria jo vetëm në rajon, por edhe në krahun jugor të aleancës NATO.” – theksoi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Kompania “Bechtel dhe Enka” po realizon punimet ndërtimore të Korridorit 8. Me ndërtimin e gjithë autostradës së parashikuar përgjatë Koridorit 8, pritet të ulet koha e udhëtimit, të rritet siguria në trafik dhe të nxisë zhvillimin ekonomik në rajon. (Rexhep Qamili, TVM2)