Tatimi mbi të ardhurat personale jashtë vendit, Mickoski mbron pagesën e tatimit
Kryeministri Hristijan Mickoski...

Kryeministri Hristijan Mickoski, mbron qëndrimin për pagesën e tatimit mbi të ardhurat e realizuara jashtë vendit që nga viti 2020, duke theksuar se ky obligim ndaj shtetit duhet të përmbushet.
Sipas tij, detyrimi për shlyerjen e tatimit është i vlefshëm për të gjithë qytetarët që kanë siguruar të ardhura jashtë vendit, ndërsa përjashtim do të kenë vetëm ata që arrijnë të dëshmojnë se tatimi është paguar në shtetin ku kanë qenë të angazhuar.
Ky qëndrim vjen përkundër kundërshtimeve të shprehura nga një pjesë e qytetarëve, të cilët reaguan edhe përmes protestave ndaj këtyre vendimeve.
“Nuk bëhet fjalë për tatim retroaktiv. Ky është një ligj që e ka miratuar qeveria paraprake e LSDM-së dhe BDI-së, ndërsa Drejtoria e të Ardhurave Publike, duhej të drejtohej tek personat dhe të sigurohej që të gjithë qytetarët në vend, përfshirë edhe ata me të ardhura nga jashtë, të paguanin tatimin që u takonte shtetit, pasi që afati ligjor për paraqitjen e vendimeve përfundoi në fund të vitit të kaluar. Nëse DAP nuk do ta kishte bërë këtë, ndonjë qeveri pas nesh ose edhe kjo qeveri mund të kishte kërkuar përgjegjësi penale për DAP, dhe veçanërisht për drejtoreshën, për moszbatimin e detyrës dhe për dëmtim të mundshëm të buxhetit.” – u shpreh Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Kërkesa nga DAP për pagesën e këtyre tatimeve nxiti reagimin e shumë qytetarëve të prekur ng akjo masë, duke e konsideruar këtë si një detyrim retroaktiv, të papritur. Protestuesit, madje thonë se shumica e tyre janë të papunë dhe se të hollat që kanë siguruar jashtë para disa vitesh i kanë shpenzuar. Kërkojnë rishikim të këtij vendimi. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
