Tërheqja e trupave amerikane, Wojcik: Mund të destabilizojë Kosovën
Shtetet e Bashkuara mbeten shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë...

Shtetet e Bashkuara mbeten shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë, dhe çdo ndryshim i papritur i pozicionimit të trupave amerikane mund të krijojë pasiguri, paralajmëron koloneli i pensionuar amerikan, Ray Wojcik, ish-udhëheqës i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Debati u ndez këtë javë pas publikimit të Politico, që citonte diplomatë të NATO-s për reduktimin e mundshëm të aktivitetit amerikan, përfshirë KFOR-in, ku aktualisht shërbejnë rreth 590 forca amerikane.
Ai vlerëson se stabiliteti rajonal, aftësia e institucioneve të Kosovës dhe mbështetja e Bashkimit Evropian janë kyçe për një tranzicion të sigurt të KFOR-it nga një forcë stabilizuese në një rol mbikëqyrës.
Koloneli paralajmëron se reduktimi i papritur i trupave amerikanë do të krijonte boshllëqe operative, duke dobësuar aftësinë për parandalim krizesh, reagim të shpejtë dhe mbikëqyrje efektive.
Ai kujton pasojat e tërheqjes kaotike nga Afganistani në 2021 dhe sulmet e paramilitarëve serbë ndaj Policisë së Kosovës në 2023, duke vënë në dukje se çdo pasiguri në Kosovë mund të përhapet në rajon.
