Dauti: Për pjesën e rritjes së pagës minimale të mos paguhen kontribute për 3–5 vjet
Afaristi Xhemail Dauti vlerëson se rritja e pagës minimale...

Afaristi Xhemail Dauti vlerëson se rritja e pagës minimale krijon automatikisht presion për rritjen edhe të pagave të tjera në sektorin privat, por thekson se ky proces duhet të shoqërohet me një periudhë të arsyeshme adaptimi për bizneset.
Dauti, në emisionin Biznes Plus, deklaroi se një periudhë tranzitore prej tre deri në pesë vjet do t’u mundësonte kompanive ta përballojnë më lehtë këtë ndryshim pa pasoja financiare të menjëhershme.
Sipas tij, rritja e pagës minimale do të ndikonte edhe në formalizimin e tregut të punës, pasi një pjesë e pagave që aktualisht jepen në mënyrë joformale apo “në të zezë” do të legalizoheshin dhe do të përfshiheshin në sistemin e kontributeve.
Ai theksoi se në këtë proces bizneset dhe odat ekonomike e konsiderojnë të pranueshme masën, me kusht që qeveria të tregojë fleksibilitet fiskal duke hequr dorë përkohësisht nga një pjesë e mjeteve që derdhen në fondet publike, jo në tatimin personal, por në kontributet që lidhen me fondin pensional dhe atë shëndetësor për pjesën e pagës që rritet.
Sipas Dautit, një qasje e tillë do t’u jepte kompanive hapësirë për adaptim gradual, ndërsa njëkohësisht do të rriste formalizimin e ekonomisë dhe mbulimin e punëtorëve me kontribute sociale.
