Kundërshtimi i gjobave, MPB sqaron procedurën

22.02.2026 14:07

Tre javë pas vënies në funksion të sistemit “Qyteti i sigurtë”...

Tre javë pas vënies në funksion të sistemit “Qyteti i sigurtë”, shumë qytetarë ende  nuk e kanë të qartë nëse për çdo shkelje të evidentuar u dërgohet automatikisht gjoba dhe ku duhet të drejtohen nëse mendojnë se janë sanksionuar gabimisht.

Nga MPB për TVM2 sqarojnë procedurën që duhet ndjekur në raste të tilla.

“Ju informojmë se nëse qytetarët konsiderojnë se për shkak të një gabimi të dukshëm teknik u është shqiptuar sanksion, duhet të drejtohen në stacionin policor kompetent, ku paraqitet kërkesë për verifikim dhe korrigjim të tij. Nëse kundërshtohet kundërvajtja e kryer, atëherë fillohet procedurë për mbrojtje gjyqësore para gjykatës kompetente”, - thonë nga MPB.

Sipas MPB-së, qytetarët që pranojnë përgjegjësinë për shkeljen mund të përfitojnë ulje të gjobës nëse pagesa kryhet brenda afatit të përcaktuar ligjor.

“Nëse kryerësi e pranon përgjegjësinë për kundërvajtjen e kryer, brenda afatit prej tetë ditësh nga dita e pranimit të procesverbalit për kundërvajtjen rrugore me urdhërpagesë kundërvajtëse, do të paguajë gjysmën e gjobës së shqiptuar. Nëse ka kaluar afati prej tetë ditësh për pagesën e gjysmës së gjobës, ai mund ta paguajë shumën e plotë të gjobës së shqiptuar, më së voni brenda tetë ditësh pas skadimit të afatit për pagesën e gjysmës së gjobës, e para fillimit të procedurës së përmbarimit. Nëse pagesa e gjobës së shqiptuar kryhet brenda afateve të përcaktuara, nuk paguhen shpenzime të procedurës në tërësi”, - informojnë nga MPB.

Nga 9 deri më 15 shkurt 2026, përmes sistemit “Qyteti i Sigurt” janë regjistruar 4.490 kundërvajtje në komunikacion, që paraqet ulje prej 10 për qind krahasuar me javën e parë të shkurtit, njoftojnë nga MPB.

Pjesa më e madhe e shkeljeve, 4.297, janë për tejkalim të shpejtësisë, 33 për kalim në dritë të kuqe dhe 160 për leje qarkullimi të skaduar. Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar edhe 148 masa “ndalim për drejtim të automjetit”, ose 48,6 për qind më pak se javën e kaluar, kryesisht për tejkalim të shpejtësisë dhe kalim në semafor me dritë të kuqe.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, disa ditë më parë bëri të ditur se janë hapur katër lëndë për sistemin “Qyteti i Sigurtë ”, të cilat do të trajtohen me prioritet. Ai theksoi se masat e video-mbikëqyrjes synojnë rritjen e sigurisë dhe respektimin e rregullave, duke shtuar se projekti tregon se qytetarët mund t’u përshtaten shpejt rregullave kur respektohet sundimi i ligjit. (Armend Murseli, TVM2)