Integrimi në BE, LSDM: Integrim të plotë me të drejtë vote
Partia opozitare LSDM...

Partia opozitare LSDM ka komentuar mundësitë e diskutueshme që janë shfaqur në opinion lidhur me një integrim gradual të vendit në BE, por pa të drejtë vote. Sipas tyre, nuk ekziston vendim zyrtar i BE-së që parashikon një integrim të tillë, edhe sikur të ekzistonte, duhet të shqyrtohej me kujdes.
Nga LSDM thonë se janë për integrim të plotë të Maqedonisë së Veriut në BE, me të gjitha të drejtat, përfshirë edhe të drejtën e votës.
“LSDM është për integrim të plotë të RMV-së në Bashkimin Evropian, duke përfshirë edhe anëtarësimin me të gjitha të drejtat, mes të cilave edhe të drejtën e votës. Për fat të keq, shohim që VMRO-OKG dhe Mickoski nuk e duan Evropën. Ata udhëheqin një fushatë anti-BE, duke e paraqitur BE-në si intimidim ndaj Maqedonisë, në vend që të pranojnë se kritikat nga BE janë rezultat i mospërmbushjes së obligimeve dhe reformave të nevojshme për anëtarësim. Ata qëllimisht krijojnë probleme me fqinjët, bllokojnë ndryshimet kushtetuese dhe kështu e mbajnë vendin në stagnacion.” – tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Vazhdojnë përpjekjet për anëtarësim
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE, partia në pushtet, thekson se vazhdojnë përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sa i përket iniciativës së fundit që po diskutohet në Bruksel për ndarjen e vendeve në kategori të para dhe të dyta, kjo situatë kërkon vendime të mençura, pasi një pjesë e vendeve të reja anëtare nuk do të kenë të drejtë vote, thonë nga kjo parti.
“Kjo situatë është hipotetike. Maqedonia është përmendur si anëtare e BE-së, por gjithsesi duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë, pasi vendimi lidhet me pasojat e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Diplomacia e Maqedonisë vazhdon të punojë për hyrjen në BE si një shtet krenar dhe me dinjitet.” – deklaroi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Së fundi, raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Thomas Weitz, në draft-raportin për progresin, shpreh nevojën që të gjithë aktorët politikë, veçanërisht Qeveria, të japin rezultate të prekshme në fushat kyçe, ndërsa BE-ja dhe shtetet anëtare duhet të përmbushin detyrimet e tyre. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
