Shembje në rrugën Librazhd-Pogradec, pengohet qarkullimi Qafë Thanë-Tiranë
Juglindja e Shqipërisë është izoluar plotësisht...

Juglindja e Shqipërisë është izoluar plotësisht, pasi prej mesditës së djeshme është bllokuar qarkullimi në rrugën nacionale “Librazhd-Elbasan”. Ky është një aks jetik që lidh Korçën, Pogradecin e gjithë juglindjen me Elbasanin e Tiranën.
Po kështu janë paralizuar lëvizjet drejt doganave në Qafë-Thanë dhe Kapshticë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndaluar lëvizjen e automjeteve, përfshirë vetura, autobusë dhe kamionë, për shkak se rruga ka ceduar për shkak të gërryerjes nga lumi Shkumbin.
Prokuroria e Elbasanit njoftoi se ka nisur hetimin për dëmtimet në këtë rrugë, me 4 akuza: “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e barazisë në tenderë apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës” dhe “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”.
Drejtori i ARRSH, Ami Kozeli thotë se synimi është që rruga të hapet nesër, megjithatë ka shumë vështirësi.
E vetmja mundësi për qytetarët që duan të shkojnë nga Tirana në Korçë dhe anasjelltas mbetet rruga alternative ‘Maliq-Lozhan- Moglicë-Gramsh’.
Edhe rruga e Moglicës edhe pse ka një vit që është ndërtuar ka pësuar shembje në disa segmente dhe kalohet vetëm ne një korsi. Po kështu, ky aks ka kthesa te forta e pjerrtësi, duke e shtuar me së paku një orë distancën. (Luljeta Ndoka, TVM2)
