Gjykimi i Verushevskit për armëmbajtje pa leje, Verushevski: Pistoleta është zyrtare

04.06.2015 16:03

Ish drejtori i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, Zoran Verushevski, sot para trupit gjykues është deklaruar për veprën penale armëmbajtje pa leje...

Pistoleta për të cilën ngarkohen Verushevski, është dorëzuar nga i akuzuari gjatë bastisjes në shtëpinë e tij në aksionin “Puç” dhe e njëjta është armë zyrtare të cilën ai e posedon nga koha kur ka qenë funksionar i MPB-së, thonë avokatët mbrojtës.

Verushevski në deklarimin e tij para gjykatës tha se pistoletën e posedon nga viti 1981, kur për herë të parë ka hyrë në strukturat e MPB-së. Edhe pse gjashtë herë është emërtuar dhe larguar nga funksioni, MPB me asnjë akt juridik nuk ka kërkuar ta kthejë armën që e posedoi për 30 vite, e cila tanimë nuk posedon as fuqi materiale e as fuqi zjarri. I vetmi dënim për këtë vepër duhet të jetë masa disiplinore, apo dënim material, tha avokati, Angele Ilievski.

“Do të qëndrojmë deri në fund në atë se i akuzuari nuk e ka kryer veprën penale për të cilën po ngarkohet dhe se behet fjalë për armë zyrtare. Autorizimi merret tek personat zyrtarë me nënshkrimin e kërkesës për kthimin e armës që posedon. Përmes kësaj kërkese për kthim nuk i është kërkuar Verushevskit ta kthejë armën”- tha avokati mbrojtës, Angele Ilievski.

Dy ditë më parë u mbajt edhe seanca publike për rastin”Puç”, në të cilin ish drejtori i DSK-së, Zoran Verushevski, është i dyshuari i parë për spiunim, përgjim të paligjshëm dhe dhunë ndaj zyrtarëve shtetërorë. (Florije Kamberi, TVM2)