Lobimi në RMV, ligji ekziston, mungon praktika, kërkohet vetëdijësim dhe profesionalizëm

22.02.2026 16:22

Vendi ynë ka një ligj të posaçëm për lobim...

Vendi ynë ka një ligj të posaçëm për lobim, por për shumicën e qytetarëve ai mbetet një ligj “në hije”, pak i njohur dhe edhe më pak i zbatuar në praktikë. Edhe pse ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2022 dhe synon të rregullojë procesin e lobimit si mekanizëm institucional për zgjidhjen, tejkalimin apo ndryshimin e çështjeve të caktuara, në praktikë pothuajse nuk po gjen zbatim.

Në vend të përdorimit të mekanizmave ligjorë, individët më shpesh i drejtohen kontakteve personale, duke kërkuar “mik” apo familjar për të arritur qëllimet e tyre. Njohësit e kësaj fushe shprehin shqetësim për këtë qasje, duke vlerësuar se interesat personale nuk mund t’i çojnë përpara proceset e mëdha dhe ndryshimet në politikat publike.

“Lobimi është i drejtuar ekskluzivisht ndaj institucioneve shtetërore, qeverisë, ministrive, Kuvendit dhe pushtetit lokal. Dhe për sa kohë që nuk kemi lobistë profesionistë dhe nuk fillojmë të ndërtojmë përvojë në këtë fushë, nuk do ta kuptojmë rolin dhe seriozitetin e lobimit dhe të organizatave lobuese.” – tha ekspertja e kësaj fushe, Jadranka Arsova Kunguloska.  

Është në interes të të gjithëve që të njohim rregullat dhe përparësitë që ofron ky ligj, pasi zbatimi i tij në praktikë mund të sjellë përmirësim të dukshëm të politikave publike, në dobi të qytetarëve, vlerësojnë ekspertët.

Deri më tani, në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit janë evidentuar vetëm tri organizata lobuese. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk ka paraqitur raport mbi aktivitetet dhe punën e realizuar në kuadër të kësaj veprimtarie.

Ky fakt shihet si tregues i qartë se nevojitet një angazhim më i madh për ngritjen e vetëdijes publike, në mënyrë që lobimi të kuptohet drejt dhe të zhvillohet si një profesion transparent dhe i rregulluar me ligj. Trajnimi i parë veçmë u organizua nga Fondacioni “Friedrich Ebert” në Ohër.

“Të rriturit tashmë e dinë saktësisht në çfarë mënyre të përcaktojnë një qëllim shumë të qartë të përfaqësimit tonë dhe të zhvillojnë një strategji të qartë, sepse vendimmarrësit janë në çdo moment të gatshëm që, në një farë mënyre, të mbrojnë atë që u përshtatet atyre” – deklaroi ekspertja Merita Kuli.

Lobimi është një aktivitet i zhvilluar dhe i institucionalizuar veçanërisht në SHBA. Përmes këtij procesi, përfaqësues të interesave të caktuara komunikojnë drejtpërdrejt me pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv për të ndikuar në politikat publike dhe në rregulloret shtetërore.

Megjithatë, lobimi nuk përfshin procedura gjyqësore apo administrative, prokurimin publik, çështje të të drejtave individuale apo komunikime që cenojnë sigurinë e shtetit. (Rexhep Qamili, TVM2)