Maqedoni
Arrestohet Artan Grubi
23.02.2026 09:08
Artan Grubi sot në ora 06:10 është privuar nga liria në pikën kufitare Bllacë...

Ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, sot në ora 06:10 është privuar nga liria në pikën kufitare Bllacë, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas MPB-së, gjatë hyrjes në shtet, ndaj Grubit, për të cilin ishte aktive masa e arrestit, është vepruar me ndalim dhe ai është dërguar për procedurë të mëtejshme.
Grubi, i cili ishte zëvendëskryeministër i parë në koalicionin qeveritar ndërmjet Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ndiqet për shpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me punën e Lotarisë Shtetërore. Në rast është i dyshuar së bashku me Përparim Bajramin, ndërsa sipas pretendimeve bëhet fjalë për një krim me vlerë rreth tetë milionë euro përmes furnizimit me aparate VLT.
Sipas informacioneve të publikuara, Grubi ka udhëhequr mbledhjen e Qeverisë në të cilën është miratuar kërkesa për furnizimin me aparatet VLT, edhe pse, siç pretendohet, prokurimi publik ka qenë i paligjshëm.
Gjetjet e revizionit gjithashtu kanë theksuar mbi 180 milionë denarë, përkatësisht rreth tre milionë euro, dokumentacion të kontestuar, jovalid ose të parregullt në punën e Lotarisë.
Po ashtu, me vendim të Qeverisë të miratuar në mbledhjen e udhëhequr nga Grubi, është tjetërsuar tokë shtetërore në favor të një kompanie të lidhur me bashkëshorten e ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski për ndërtimin e paneleve fotovoltaike, me çmim prej 70 denarë për metër katror.
Grubi, nga 9 dhjetori 2024, ndodhet edhe në “listën e zezë” të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara për, siç thuhet, “përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm përmes marrjes së ryshfetit për të minuar proceset gjyqësore”.
