Maqedoni

Grubi u dërgua në paraburgim në Shutkë

23.02.2026 11:35

MPB konfirmoi zyrtarisht se ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, është arrestuar....

Ministria e Brendshme konfirmoi zyrtarisht se ish-zëvendëskryeministri i parë nga Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, Artan Grubi, është arrestuar.
 
MPB bën të ditur se  në orën 06:10 në Kalimin Kufitar të Bllacës, në hyrje të vendit, Artan Grubi, i cili kërkohej me një urdhër arresti ndërkombëtar për hetimin e një krimi të kryer sipas nenit 354, paragrafi 5, në lidhje me nenin 3, me nenin 1 dhe me nenin 22 të Kodit Penal, është privuar nga liria. Nga MPB-ja konfirmuan se Grubi është dërguar në burgun e Shutkës, pasi ndaj tij ishte caktuar masë paraburgimi 30-ditor në mungesë, gjatë kohës që ishte në arrati. Nga Prokuroria Themelore Publike Shkup njoftuan se do të informojnë më tej për mënyrën e vazhdimit të procedurës, përkatësisht kur ai do të paraqitet para prokurorit publik.
 
Artan Grubi po ndiqet penalisht për “përvetësim në shërbim” në Lotarinë Shtetërore, ku së bashku me Përparim Bajramin dyshohet se kanë kryer një krim prej 8 milionë eurosh nëpërmjet një porosie për pajisje VLT.