Maqedoni

MPB: U vetëdorëzua ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi

23.02.2026 13:51

Në orët e para të mëngjesit, në vendkalimin kufitar Bllacë, u vetëdorëzua ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi....

Në orët e para të mëngjesit, në vendkalimin kufitar Bllacë, u vetëdorëzua ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Ai kërkohej me fletarrest ndërkombëtar, pasi po hetohej lidhur me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut.
 
“Sot në orën 06:10 minuta, në pikën e kalimit kufitar Bllacë, në hyrje të shtetit, u privua nga liria Artan Grubi, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar lidhur me hetimin e veprës së kryer penale.”, - deklaroi Goce Andreevski nga MPB.
 
Utkovski: Grubi ndodhet në paraburgim në Shutkë
 
Pas arrestimit nga policia, Grubi është transferuar në burgun e Shuto Orizares, pasi ndaj tij ishte shqiptuar masa 30 ditë paraburgim në mungesë, deri sa ai ishte në arrati. 
 
“Nga ana e pjesëtarëve të MPB-së, personi Artan Grubi është sjellë në institucionin ndëshkues përmirësues Shkup në ora 09:20 minuta. Pas kontrollit nga mjeku është vendosur në sektorin e paraburgimit, pasi mjeku ka konstatuar se është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai nuk ka ndonjë kërkesë të veçantë.”, - theksoi drejtori i burgut të Shutkës, Boban Utkovski.
 
Grubi, i cili ishte zëvendëskryeministër i parë në qeverinë e kaluar të Koalicionit LSDM-BDI, u vetëdorëzua pas 14 muajsh në arrati, pasi nga 11 dhjetori i viti 2024 u largua nga Maqedonia e Veriut, pak ditë para ngritjes se akuzave nga Prokuroria Publike. Ai ndiqet penalisht për përvetësim në shërbim lidhur me punën e Lotarisë Shtetërore, ku i dyshuar është edhe Përparim Bajrami. Sipas pretendimeve të Prokurorisë, bëhet fjalë për një krim me vlerë rreth tetë milionë eurosh, përmes furnizimit me aparate VLT.
 
Grubi ka udhëhequr seancën e Qeverisë në të cilën është miratuar kërkesa për furnizimin me aparatet VLT, ndonëse, siç pretendohet, procedura e prokurimit publik ka qenë e paligjshme. Gjetjet e revizionit po ashtu kanë evidentuar mbi 180 milionë denarë, përkatësisht afro tre milionë euro, dokumentacion të kontestueshëm, të pavlefshëm apo të parregullt në punën e Lotarisë. Gjithashtu, me vendim qeveritar të miratuar në një seancë të udhëhequr nga Grubi, është tjetërsuar tokë shtetërore në favor të një kompanie të lidhur me bashkëshorten e ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, për ndërtimin e centraleve fotovoltaike, me çmim prej 70 denarë për metër katror.
 
Po ashtu Grubi, që nga 9 dhjetori 2024, ndodhet edhe në “listën e zezë” të Departamentit Amerikan të Shtetit, për shkak të, siç thuhet, “përfshirjes në korrupsion të konsiderueshëm përmes marrjes së ryshfetit, me qëllim minimin e proceseve gjyqësore”.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU