Maqedoni
Vetëdorëzimi i Grubit, reagojnë partitë, BDI: Hap pozitiv, procesi të zhvillohet drejt
23.02.2026 14:08
Vetëdorëzimi i Artan Grubit, pas një periudhe arratie, ka ngjallur reagime tek partitë politike....

Vetëdorëzimi i Artan Grubit, pas një periudhe arratie, ka ngjallur reagime tek partitë politike. Bashkimi Demokratik për Integrim e vlerëson pozitivisht vendimin e ish-zëvendëskryeministrit Grubi, për t'u kthyer në vend dhe për t'u përballur me institucionet. Presin që procesi të zhvillohet në përputhje me standardet e larta të ligjit.
“BDI mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, pa selektivitet, pa standarde të dyfishta dhe pa ndikim politik. Vetëm një procedurë e drejtë dhe profesionale i shërben të vërtetës, institucioneve dhe besimit të qytetarëve.", thuhet në deklaratën e partisë.
VLEN: U hap “kutia e zezë”, BDI në frikë
Për koalicionin VLEN situata e krijuar rreth Grubit mund të ndikojë në të ardhmen politike të BDI-së, ndërkaq ky subjekt, siç thonë, druan nga frika se çfarë mund të shpalosë Artan Grubi.
“Kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së më në fund është dorëzuar. Artan Grubi është pjesëmarrës dhe ekzekutor i të gjitha marrëveshjeve të errëta të BDI-së. Prandaj, BDI po dridhet nga frika se nuk e dinë se për çfarë është gati të flasë Artan Grubi. Pasi BDI humbi në mënyrë katastrofike në zgjedhjet lokale dhe të gjitha premtimet e rreme të Ahmetit për zgjedhje të parakohshme dhe hyrje të supozuar në qeveri dështuan, Artani nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përballet me mëkatet e veta. Por, cilin do ta ngrehë me vete, mbetet për t’u parë.”.
VMRO: Grubi të përgjigjet për bëmat
Reagime edhe nga partitë më të mëdha maqedonase. VMRO-ja thotë se pas një kohe, dëmet e Grubit prej mbi 8 milionë eurosh do të vihen në jetë. Shtojnë se LSDM-ja po mbron Grubin dhe përpiqet të fshehin gjurmët për shkak të krimeve të përbashkëta.
“Për tërë këtë krim milionësh të Grubit e ka ditur edhe LSDM-ja, por vetëm që mos t’i bie koalicioni dhe t’i zgjatet pushteti ka heshtur dhe ka miratuar me çka është bërë bashkëpunëtore…Grubi vidhte, LSDM-ja heshtte. Tani është koha për përgjegjësi…Ata janë në panik, të frustruar, të frikësuar, nga arrestimi i Artan Grubit, sepse ai mund të nxjerrë informata të cilat do të japin indice për krimin që e kanë bërë së bashku me Venko Filipçen, Oliver Spasovskin, me Zoran Zaevin.”, - deklaroi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Kthimi i Grubit shpëton Mickoskin
Nga LSDM-ja e quajnë defokusim dhe teatër situatën me Grubit, pasi sipas socialdemokratëve, kjo u bë në kohën kur pushteti po e merr gjyqësorin dhe prokurorinë nën kontrollin e vet, ndërkohë Mickoski përballet me rënien e rejtingut.
“BDI po e shpëton Mickoskin. I hodhën një gomë shpëtimi. Pas teatrit të sotëm në kufirin maqedonas, tashmë për të gjithë është e qartë se arratisja e Artan Grubit ishte marrëveshje politike. LSDM-ja këtë e paralajmëroi që në dhjetor 2024. Tani vetëm u vërtetua para syve të opinionit maqedonas. Ashtu siç u morën vesh ta lëshojnë, ashtu tani u morën vesh që ai të kthehet. Në këtë mënyrë VMRO me mbështetjen e BDI-së dëshiron ta mbulojë skandalin më të madh të drogës me 5 tonë, i cili çon deri te maja e Qeverisë së Mickoskit.”, - theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Sipas LSDM-së, në politikën tonë po bëhet kopjim sipas recetës së Vuçiqit, i cili sa herë që është në rënie, paralajmëron ndonjë arrestim.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
