Maqedoni
Myftinia e Tetovës shtron iftare për studentët, Murati: Të ushqehemi shëndetshëm në Ramazan
23.02.2026 14:19
Myftinia e Tetovës gjatë muajit të Ramazanit dhuron nga 550 porcione ushqim për iftar për studentët....

Myftinia e Tetovës gjatë muajit të Ramazanit dhuron nga 550 porcione ushqim për iftar për studentët. Me këtë rast dëshirojnë që studentëve t’ua kompensojnë ngrohtësinë familjare që u mungon në këtë muaj, por edhe t’ua lehtësojë gjendjen financiare.
“Ne kemi jetuar me studentët. I kemi pasur pjesë të pandashme të ambientit ku jetojmë, rrugët i kemi pasur të stërmbushura me studentë dhe thamë se shtëpitë tona, familjarët, prindërit tanë të cilët dhanë çdo gjë që sot ta gëzojmë Universitetin, i cili me kuadrot dhe me forcën e dijes që e ka rrezatuar gati se në çdo pore të jetës, popullatës sonë dhe më gjerë, thamë që ne nuk duhet t’i harrojmë ato studentë. Andaj, edhe Tetova e ka vetëm këtë primat, dallon nga të gjitha qytetet tjera, meqenëse qytetet tjera edhe sikur të organizonin ndonjë iftar të tillë nuk i kanë studentët, ndërsa tek ne në atë pjesën e lagjes së Reçicës, ku është kampusi i UT-së, por edhe i Shtulit, pikërisht aty banojnë studentët. I kemi afër 20 mijë studentë.”, - deklaroi teologu, Nuhi Ganija.
Esnafi i Çarshisë në Shkup: Iftar për studentët dhe kalimtarët e rastit
Iftare falas për studentët, kalimtarët e rastit dhe nevojtarët ofron edhe Esnafi i Çarshisë së Shkupit.
“Tash jemi në muajin e bekuar dhe kemi iftar të cilin duhet ta ndajmë me nevojtarët, me kalimtarët e rastit, me studentët, të cilët janë në kalim. Këtu, prapa nesh, gjendet lokali dhe mund të shërbehen me ushqime, të cilat i ofrojmë të freskëta.”, - theksoi Esnafi i Çarshisë, Bujar Duvolli.
Kur jemi te ushqimi, gjatë muajit të Ramazanit, nutricionistja Festa Murati thekson se duhet të përdoren më tepër proteina dhe drithëra, të hidratohet organizmi më shumë me ujë si dhe të largojmë ushqimet karbohidrate.
“Grumbullimi i karbohidrateve dhe sheqernave të ndryshme në një vakt dhe anashkalimi i proteinave, këtu hasim në një bollëk të ushqimeve në tryezë, ku njerëzit nuk bëjnë vendime të sakta, ku i vihet më shumë kujdes brumërave të ndryshme, fërgesave që kanë një sasi të lastë të yndyrave, që nuk janë të shëndetshme për trupin, etj. – u shpreh nutricionistja, Festa Murati.
Sipas nutricionistëve, personat me sëmundje kardiovaskulare, të veshkave dhe me diabet duhet të konsultohen me mjekun e tyre, para se të nisin të agjërojnë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
