Rajon
Konjufca në takim me Sorensen, e njofton se ai do ta udhëheqë dialogun
23.02.2026 14:37
Dialogun Kosovë-Serbi do ta udhëheqë zëvendëskryeministri, njëherësh edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca....

Dialogun Kosovë-Serbi do ta udhëheqë zëvendëskryeministri, njëherësh edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. Për këtë, Konjufca e ka njoftuar në takimin në Prishtinë emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
“Gjatë takimit, Konjufca e informoi Sorensen se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kabineti i Konjufcës.
Njëherësh ai citohet të ketë theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian. Në qeverinë e kaluar dialogun e kishte udhëhequr zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili ishte përgjegjës për negociatat lidhur me çështjet teknike me Serbinë. Kohë më parë zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, në një postim në rrjetet sociale pati theksuar se sa i përket dialogut Kosovë-Serbi është “e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë së shpejti”. Autoritetet evropiane disa herë e kanë përsëritur se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011, mbetet procesi kyç për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe për avancimin e tyre drejt integrimit evropian.
GYLTENE SINANI
