Zgjedhja e presidentit të Kosovës, partitë kanë 10 ditë afat për marrëveshje

23.02.2026 14:47

Sipas afateve kushtetuese...

Sipas afateve kushtetuese, kanë mbetur edhe 10 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Për një votim të suksesshëm në dy raundet e para kërkohen së paku dy të tretat e deputetëve.

Për këtë qëllim, kryeministri Albin Kurti ka nisur takimet me liderët e partive opozitare, PDK-së dhe LDK-së. Por, Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku kanë vlerësuar se zgjedhja e presidentit nuk i takon vetëm një partie.

“Si subjekt politik opozitar nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese.”, - ka shkruar kreu i PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit me Kurtin.

Ndërsa kreu i LDK-së, Abdixhiku, votimin e presidentit e kushtëzon me marrëveshje politike.

“Pa marrëveshje politike ndërmjet subjekteve parlamentare, imponimi i emrave të përveçëm nuk sjell asnjë rezultat tjetër, përveç krizës institucionale.”, - vlerëson Abdixhiku.

Nëse partitë politike në Kosovë nuk arrijnë që deri më 4 mars të dakordohen për zgjedhjen e presidentit të ri të shtetit, sipas Kushtetutës, Kosova shkon menjëherë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kandidatët duhet të sigurojnë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.

Deri më tani ambicie publike kanë shprehur presidentja aktuale Vjosa Osmani Sadriu dhe Ramush Haradinaj, por asnjëri nuk ka njoftuar nëse ka nisur grumbullimin e nënshkrimeve nga deputetët.

Zgjedhja e presidentit po ndiqet me vëmendje edhe nga diplomatët e huaj në Kosovë. Në këtë temë kanë biseduar edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Xhonatan Hargreaves.

“Mirëprita progresin e shpejtë që ka bërë Kuvendi për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetin e vitit 2026. Diskutuam për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.”, shkruan ambasadori britanik në rrjetet sociale, pas takimit me kryeparlamentaren e Kosovës. (Gyltene Sinani, TVM2)