Maqedoni
Tetovë, alarm i rremë për bombë në disa shkolla
23.02.2026 15:26
Nxënësit, mësimdhënësit e disa shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë kanë ndërprerë mësimin pas denoncimeve për bomba të vendosura në shkollat e tyre....

Nxënësit, mësimdhënësit e disa shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë kanë ndërprerë mësimin pas denoncimeve për bomba të vendosura në shkollat e tyre. Në Gjimnazin e Tetovës është hera e 14-të që nxënësit largohen nga shkolla. Drejtori i gjimnazit, Jeton Kamberi, thotë se nxënësit, përveç shqetësimit që u shkaktohen, ata po humbin edhe shumë ditë mësim. Kamberi bën me dije se disa herë u është drejtuar institucioneve për ndihmë, megjithatë kërkesat e tij kanë hasur në vesh të shurdhër.
Ndërkaq, nga Sektori i Arsimit me një komunikatë me shkrim kanë theksuar se shkollat janë kontrolluar nga zyrtarët policorë të SPB-Tetovës, ndërsa të gjithë nxënësit dhe punonjësit janë evakuuar dhe kanë lëshuar hapësirat shkollore. Sipas tyre, e-maili i dërguar është tek SPB-Tetova, e jo tek e-mailet zyrtare të shkollave.
“Denoncimet për bombë janë dorëzuar në Sektorin e Punëve të Brendshme, gjegjësisht nuk janë dërguar në adresat e e-mailit të shkollave, siç ndodhte në të kaluarën. Shkollat kanë dorëzuar shkresë me shkrim deri te SPB-ja, me qëllim që të informohen lidhur me gjendjen dhe hapat që duhen ndërmarrë më tej. Në aspektin e sigurisë, institucionet kompetente po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe punonjësve, ndërsa gjendja ndiqet vazhdimisht në koordinim me organet e rendit.”, është shprehur përmes një komunikate udhëheqësi i arsimit në Komunën e Tetovës, Validin Ademi.
Deri më tani institucionet nuk kanë qenë në gjendje që të lokalizojnë dhe arrestojnë dërguesin misterioz të këtyre e-maileve, që përveç panikut, po i pengon nxënësit edhe në procesin arsimor, ndërsa alarmet e rrejshme sa vijnë e shtohen në shkollat e Tetovës.
VISAR SADIKI
