Botë

Demarkacioni i kufirit Kosovë-Mali i Zi, Lajçi: Kosovës po i merren 12 mijë hektarë

04.06.2015 16:54

Banorët e rajonit të Rugovës, ku kalon vija kufitare e Kosovës me Malin e Zi...

Banorët e rajonit të Rugovës, ku kalon vija kufitare e Kosovës me Malin e Zi, i janë ankuar sot kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, se po u merren 12 mijë hektarë tokë nga Mali i Zi.
 
Kryetari i Komisionit Shtetëror për Përcaktimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, Ali Lajqi, ka vlerësuar se në procesin e deritanishëm të demarkacionit nuk janë marrë për bazë të dhënat e dokumentuara në hartat e vitit 1974.
 
Disponojmë të gjitha dokumentet që dëshmojnë se në pjesën e Rugovës vija kufitare me Malin e Zi është futur brenda territorit të Kosovës. 
 
“Ne kemi bërë masat në sipërfaqe nëpërmjet koordinatave, lartësive dhe hapësirën dhe ka dalë 12 mijë kilometra, 12 mijë hektarë. Në pjesën e Rugovës i kemi 7 mijë hektarë, kurse 5 mijë e diçka i kemi në pjesën e Podgurit, që bëjnë 12 mijë hektarë”- deklaroi kryetari i Komisionit për Përcaktimin e Vijës Kufitare Kosovë-Mali i Zi, Ali Lajçi.
 
Por, kryeparlamentari, Kadri Veseli, është shprehur optimist se kjo çështje do të përfundojë pa konteste, pasi Kosova ka raporte të mira me Malin e Zi.
 
“Gjithë bashkërisht, edhe ky takim i shërben një komunikimi, një transparence. Qëllimi i përbashkët është të merremi vesh me një fqinj që kemi raporte jashtëzakonisht pozitive dhe me qytetarët tanë me të cilët kemi obligime edhe ndaj vendit tonë, në mënyrë që të mos kemi konteste dhe s’besoj se në përfundimin e saj do të ketë konteste”- tha kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
 
Shumë shpejt, në pajtueshmëri edhe me komunitetin ndërkombëtar, do të kemi definimin e çështjes së kufirit, ka thënë Veseli.
 
GYLTENE SINANI