Botë
Fatmir Besimi në Athinë: fqinjët duhet të jenë miq dhe të bashkëpunojnë
04.06.2015 17:18
Shtetet fqinje nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të jenë miq dhe të bashkëpunojnë mes vete...

Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, pas takimit me shefin e Diplomacisë greke, Nikos Kozias. Çështja e emrit, marrëdhëniet bilaterale, si dhe bashkëpunimi në sferën ekonomike dhe sociale gjithashtu kanë qenë tema të bisedimeve mes autoriteteve në fjalë.
“Sot diskutuam edhe për atë se zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor është diçka që presim të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Agjenda e Selanikut, konkluzat e ministrave dhe deklarata e ministrit të Jashtëm japin mesazh të qartë se ka shpresa për rrugë euroatlantike të vendit tim dhe rajonit”- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
Shefi i Diplomacisë greke njoftoi se në fund të muajit do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Maqedoni, ku do të vazhdojnë diskutimin lidhur me masat për ndërtimin e besimit mes shteteve.
“Pas tri takimeve në Budapest, Riga dhe Antali, me kolegun dhe homologun tim nga vendi fqinjë kemi parashtruar secili nga një listë kërkesash dhe kemi parë se në njërën apo tjetrën mënyrë pjesa e konsiderueshme e masave përputhen”- tha ministri i Jashtëm grek, Nikos Kosias.
Njëkohësisht, zëvendëskryeministri Besimi dhe ministri Jashtëm grek, Kosias, shprehën optimizëm dhe vullnet për marrëveshjen e arritur mes partive politike në vend, por gjithashtu theksuan se për arritjen e pikave të marrëveshjes nevojitet asistencë nga eurokomisari Hahn dhe Komisioni Evropian.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
