Maqedoni

Masa ndaj Grubit, reagojnë partitë, VLEN: Kthimi i tij, demaskim i BDI-së

24.02.2026 14:20

Pas vendimit të masës “arrest shtëpiak” ndaj Artan Grubit, pasojnë reagimet e partive politike...

Pas vendimit të masës “arrest shtëpiak” ndaj Artan Grubit, pasojnë reagimet e partive politike. Koalicioni VLEN edhe më tej vlerëson se BDI është në frikë pas kthimit të Grubit nga arratisja, sepse, siç thonë, ai është dëshmitar i të gjitha marrëveshjeve të errëta dhe marrëveshjeve që janë bërë me vite në dëm të qytetarëve.
 
“Rikthimi i Grubit nuk është fundi i procesit. Është fillimi. Fillimi i një zbërthimi që mund të çojë në demaskimin e plotë të mënyrës se si ka funksionuar BDI. Pyetja nuk është më nëse do të ketë pasoja politike, por sa të thella do të jenë ato. Nëse kutia e zezë është Grubi, atëherë hapja e saj nënkupton goditje të drejtpërdrejtë ndaj Ali Ahmetit. Dhe derisa opinioni pret drejtësi, mbetet për t’u parë kë do ta ngrehë me vete në ditët që vijnë. Nga sot, BDI nuk e kontrollon më narrativin. Përkundrazi, e vërteta ka nisur ta kontrollojë BDI-në.”.
 
LSDM: Gjithçka e koordinuar, s’ka drejtësi
 
LSDM ripërsërit se me rastin Grubi gjithçka është dakorduar dhe orkestruar paraprakisht, ndërkaq u aktualizua në kohën kur VMRO ka zgjedhur prokurorë e gjyqtarë nën kontrollin e vet. 
 
“Paramendoni! Njëherë u arratis, ndërsa tani Prokuroria kërkon ndryshimin e masës për paraburgim me masën e arrestit shtëpiak. Tek cili prokuror është lënda?  Daniel Kocev. Ndërkaq, shefi i tij? Prokurori Anel Fidoski. Ai u zgjodh në këtë funksion më 20 janar 2026, si përgjegjës i prokurorisë më të madhe në shtet, pra para një muaji.”, - deklaroi Aleksandar Dimitrijeviq nga LSDM.
 
VMRO: LSDM druan për pjesëtarët e vet
 
Nga VMRO kundërpërgjigjen se paraqitja e Grubit frikëson LSDM-në për faktet që mund t’i shpalosë ai, e që mund të përfshihen edhe pjesëtarë nga socialdemokratët. 
 
“LSDM në këtë moment gjendet në panik specifik, sepse jam gati i sigurt apo thënë,  ndoshta, se Artan Grubi në gjykim do të thotë fakte dhe detaje, sepse bashkë me të i akuzuar është edhe një ish-funksionar dhe kryetar i partisë së tyre. Këtu nuk akuzohet vetëm z. Grubi, por ka edhe disa të tjerë, prej të cilëve edhe disa anëtarë të LSDM-së.”, - theksoi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
 
Ka reaguar edhe E Majta. Për ta është e çuditshme që ndaj një personi në arrati prej 14 muajsh të vendoset kjo masë e butë, ndërkaq shtojnë se brenda një afati të shkurtër opinioni mori dy informata. Fillimisht se ka kushte për të sikur për të gjithë të burgosurit e tjerë,e më pas të njëjtat i mohoi Prokuroria. Ndryshe, pas intervistës mes prokurorit dhe Artan Grubit, ndaj tij u kërkua masë arresti shtëpiak, të cilës më pas Gjykata Penale i dha dritë jeshile.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU