Maqedoni
VMRO propozon ulje pagash të funksionarëve për 10-13 mijë denarë
24.02.2026 14:51
Pagat e funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar do të ulen me 10-13 mijë denarë...

Pagat e funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar do të ulen me 10-13 mijë denarë, ndërsa për disa edhe më shumë, deklaroi deputeti Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE, duke shtuar se grupi i tyre ka propozuar ndryshime në gjashtë ligje për këtë qëllim.
“Si grup deputetësh në Kuvend kemi dorëzuar zyrtarisht një paketë me ndryshim-propozim për gjashtë ligje që rregullojnë çështjen e pagave të të zgjedhurve dhe të emëruarve në shtet. Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve është të sigurohet një shpërndarje më e drejtë e mjeteve buxhetore, duke harmonizuar pagat e funksionarëve me kushtet reale ekonomike në vend.”, - deklaroi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Rritje të pagës minimale prej 600 eurove
Nga ana tjetër në Komisioni Parlamentar për Çështje Ekonomike sot nuk e pranoi propozimin e LSDM-së dhe të Oliver Spasovskit për ndryshimin e pagës minimale dhe mbajtjen e një debati publik për rritjen e saj. Me ligjin e propozuar kërkohej që paga minimale në vend të jetë 36.960 denarë (600 euro) për periudhën nga marsi 2026 deri në mars 2027.
“Në kushte të tilla, edhe pse ekziston një mekanizëm ligjor për harmonizimin e pagës minimale 50 për qind nga rritja e pagës mesatare dhe 50 për qind nga rritja e kostos së jetesës – realiteti tregon se dinamika e shtrenjtimit e tejkalon dinamikën e harmonizimit ligjor. Më të prekurit nga kjo janë qytetarët për të cilët paga minimale është burimi i vetëm i të ardhurave.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët tha se rritja e pagës minimale do të duhej të sillte edhe rritjen e pagës mesatare.
“Në të gjithë aspektet duhet të rritet paga minimale. Rritja duhet të jetë lineare, aq sa do të rritet minimalja, aq duhet të rritet edhe paga mesatare, por për fat të keq që nga viti 2015 deri në vitin 2025 kjo nuk ka ndodhur, pasi kemi afrim të këtyre dy pagave që nuk është në rregull.”, - u shpreh deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti.
Edhe deputeti Fatmir Bytyqi nga LSDM tha se paga prej 600 eurosh nuk është kapriço, por është normale të rritet, ndërsa Qeveria duhet t’i mbyllë vrimat sistemike që të mos rriten çmimet. Nga ana tjetër deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk diskutuan fare në Parlamentar për Çështje Ekonomike.
ARMEND MURSELI
