Janë pezulluar 6 licenca për kultivimin e kanabisit, Aliu: Kontrolle në 43 kompani dhe ndryshim të ligjit

24.02.2026 14:53

Gjashtë kompanive u janë pezulluar licencat...

Gjashtë kompanive u janë pezulluar licencat për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Tek to janë konstatuar një sërë parregullsish, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në një konferencë për shtyp në Qeveri.

U janë pezulluar licencat, siç tha ai, kompanive “Alphafarm”, “Green Life”, “CBD Medplant”, “Life Plant”, “Atafarm” dhe “Cannabinoids”.

“Vendimet e Qeverisë bazohen në gjetjet e kontrollimeve të kryera – magazinim i papërshtatshëm i lules së thatë, raportime të papërshtatshme ndaj Komisionit dhe mungesë e dokumentacionit të plotë për shitje dhe transferim.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Për shkak të mangësive dhe mundësive për keqpërdorim të konstatuara në rregullimin aktual ligjor, Aliu njoftoi një zgjidhje të re ligjore, e cila do të miratohet pasi të përfundojnë kontrollet në të gjitha 43 subjektet.

“Gjetëm mangësi në ligj dhe do të kemi një zgjidhje të re ligjore që nuk mund të keqpërdoret. Do ta lëmë për ekspertët, por ligji do të jetë në përputhje me direktivat e BE-së dhe me atë që mungon në terren.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Përveç kontrolleve të kryera deri tani në 13 subjekte juridike, Aliu njoftoi kontrolle në të gjitha 43 subjektet që kultivojnë kanabis për qëllime mjekësore. (Armend Murseli, TVM2)