Maqedoni
Çairi dhe Qyteti i Shkupit, investime në projekte infrastrukturore
04.06.2015 17:22
Bashkëpunimi ndërmjet Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit po thellohet. Në kuadër të takimit të kryetarit të Shkupit..

Bashkëpunimi ndërmjet Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit po thellohet. Në kuadër të takimit të kryetarit të Shkupit, Koce Trajanovski, dhe kryetarit të Çairit, Izet Mexhiti, u prezantuan disa projekte të fushës së gjelbërimit dhe higjienës, si dhe projektet për zgjerimin e rrugës “Cvetan Dimov”, rrugës “Kristijan Todorovski– Karposh” dhe rrugës “Nikolla Karev”.
“Punohet në disa projekte të përbashkëta apo që janë investime nga Qyteti i Shkupit në Komunën e Çairit, siç është zgjerimi i rrugës së “Jahja Pashës” apo “Cvetan Dimov”, që është në realizim e sipër dhe këto ditë duhet të merr intensitet më të madh. Kah fundi i vitit, prej shtatorit pritet të zgjerohet edhe rruga prej në “Xhon Kenedi”, pra rruga “Kristijan Todorovski-Karposh” deri tek Komuna e Çairit dhe planifikojmë vitin e ardhshëm të fillojë edhe zgjerimi i Rrugës së Plastikave apo bulevardi “Nikolla Karev” me dy korsi, që do të kontribuon mjaft, pra prej nyjes së Bit Pazarit deri tek ambasada amerikane”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Kryetari i Qytetit të Shkupit informoi për aksionin që do të zgjatë 5 ditë, ku në Komunën e Çairit janë prezent të gjitha ndërmarrjet publike që janë në funksion të Qytetit të Shkupit dhe priten të kryejnë një sërë aktivitetesh.
“Këto ndërmarrje publike që janë në Komunën Çair duhet të kryejnë sa më shumë punë. Pra, NP “Parqet dhe gjelbërimi” rreth kositjes së hapësirave të gjelbra dhe prerjes së drunjve të thata. NP “Rrugë dhe rrugica”, rreth sanimit të gropave të rrugëve të Komunës së Çairit. Gjithashtu NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimet” do të punojë në sanimin e problemeve me furnizimin me ujë. Ndërsa “Higjiena komunale” do të pastrojë rrugët, deponitë dhe do t’i ndërrojnë kontejnerët e metalit në kontejner të plastikës”- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Gjithashtu, gjatë ditës së sotme në lagjen “Fushë Topanë” kishte aksion për pastrimin e parkut të kësaj lagje.
Ndërsa më pas kryetarët, Trajanovski dhe Mexhiti, si dhe drejtorët e ndërmarrjeve publike patën takim me qytetarë në Komunën e Çairit.
ERSAN PAJAZITI
