Botë
4 vite nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, Zelenski: Putini nuk ia arriti qëllimit
24.02.2026 15:29
Katër vite pas fillimit të pushtimit rus ndaj Ukrainës, lufta vazhdon...

Katër vite pas fillimit të pushtimit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022, lufta vazhdon, ndërsa paralelisht po zhvillohen negociata trilaterale për paqe me ndërmjetësim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 4-vjetorin e nisjes së pushtimit rus, autoritetet ukrainase e shënuan me një minutë heshtje për viktimat. Lufta deri më tani ka lënë mijëra viktima dhe infrastrukturë të shkatërruar. Presidenti Zelenski tha se mbijetesa e Ukrainës është rezultat i guximit. Putini nuk i ka arritur qëllimet e tij në këtë luftë, tha Zelenski, duke ftuar ShBA-në të qëndrojnë në anën e Kievit.
“Sot bëhen saktësisht katër vjet që kur Putini “do ta pushtonte Kievin për tri ditë”. Kjo tregon shumë për qëndresën tonë, për mënyrën se si Ukraina luftoi gjatë gjithë kësaj kohe. Do të bëjmë edhe më shumë, sepse Rusia, fatkeqësisht, nuk ndalet dhe lufton me të gjitha mjetet kundër paqes, kundër nesh. Të gjithë duam që lufta të përfundojë. Duam paqe të fortë, dinjitoze dhe të qëndrueshme.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Liderët evropianë dhe NATO-ja: Do të vazhdojë mbështetja për Ukrainën
Në ceremoninë përkujtimore në Kiev morën pjesë edhe liderë evropianë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, theksoi mbështetjen e palëkundur të BE-së për Ukrainën.
“Të konfirmojmë se Evropa qëndron e palëkundur me Ukrainën, financiarisht, ushtarakisht dhe gjatë këtij dimri të ashpër. Të theksojmë përkushtimin tonë të qëndrueshëm ndaj luftës së drejtë të Ukrainës dhe të dërgojmë një mesazh të qartë për popullin ukrainas dhe për agresorin: nuk do të dorëzohemi derisa të vendoset paqja. Paqe sipas kushteve të Ukrainës.”, - theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
Presidenti francez Makron e përshkroi luftën si “një dështim të trefishtë për Rusinë” dhe paralajmëroi se rusët një ditë do ta kuptojnë çmimin shkatërrues të agresionit ndaj vendit të tyre.
“Një ditë, rusët do ta kuptojnë madhësinë e krimit të kryer në emrin e tyre, boshllëkun e justifikimeve të përdorura dhe efektet afatgjata, shkatërruese mbi vendin e tyre.”, - u shpreh presidenti i Francës, Emanuel Makron.
Kryeministri britanik Starmer thotë se përkrahja për Ukrainën duhet të vazhdojë.
“Të gjithë duam paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Kjo është ajo për çka të gjithë punojmë me ngulm. Zelenski dëshmoi vullnet, e mori rolin e udhëheqësit. Putini është ai që po qëndron në rrugë, prandaj vazhdimisht duhet ta ndajmë përkrahjen tonë për Ukrainën.”, - deklaroi kryeministri i Britanisë, Keir Starmer.
Kancelari gjerman Merz theksoi rëndësinë e unitetit evropian, duke shtuar se katër vite luftë kanë qenë makth jo vetëm për popullin ukrainas, por për gjithë Evropën. Nga siguria në Ukrainë varet edhe siguria në Evropë, ka vlerësuar sekretari gjeneral i NATO-s, Mark Rute.
“Imperativ është që Ukraina të vazhdojë ta marrë ndihmën ushtarake dhe humanitare që i nevojitet. Kur luftimet do të ndërpriten, patjetër të ruhet me forca të fuqishme ukrainase, të gatshme të kundërvihen dhe mbrohen. Po ashtu nevojiten garanci efikase nga partnerët e Ukrainës, Evropa, Kanadaja dhe ShBA-ja.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
Peskov: Ukraina nuk po respekton marrëveshjet
Nga ana tjetër, Rusia pretendon se mosrespektimi i marrëveshjeve nga Kievi e justifikon nisjen e “operacionit special” dhe thekson kërcënimin strategjik nga NATO-ja.
“Vazhdojmë përpjekjet tona për paqe, pozicioni ynë është i qartë dhe konsistent, tani gjithçka varet nga regjimi në Kiev. Do t’ju njoftojmë për lokacionin dhe kohën e raundit të ardhshëm, pasi të ketë dakordim ndërmjet palëve.”, - theksoi zëdhënësi i Qeverisë së Rusisë, Dmitri Peskov.
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, ka thënë se rreth 55.000 ushtarë ukrainas janë vrarë në front që nga fillimi i luftës me Rusinë, po ashtu ka edhe të zhdukur ose të kapur rob nga ushtria ruse. Ukraina ka marrë trupat e më shumë se 16.500 ushtarëve nga Rusia përmes shkëmbimeve formale. Vlerësimet e pavarura paraqesin një bilanc shumë më të lartë viktimash, të cilat në anën ukrainase mund të arrijnë në rreth 500 mijë derisa në anën ruse mund të jenë mbi 325 mijë ushtarë të vrarë.
GYLTENE SINANI
