Maqedoni
Fillkovi fton prokurorin dhe gjyqtarin që të japin shpjegim për masën e arrestit shtëpiak
24.02.2026 15:44
Filkov kërkoi shpjegime nga prokurori, gjykatësi dhe autoritetet për vendimin e arrestit shtëpiak ndaj Grubit.

Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, ka reaguar me vendimin e Prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, për ish-zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi. Ministri u bëri thirrje publikisht të gjithë atyre që janë përfshirë në procedurë të japin shpjegim për vendimet e tyre, për sjelljen e këtij vendimi.
“Publikisht i thërras të gjithë aktorët në këtë vepër që të japin shpjegim, prokurorin publik Daniel Kocev, në bazë të cilave fakte ka dhënë mendim pozitiv për arrestin shtëpiak. Kreu i Prokurorisë, Anel Fidoski, a qëndron pas këtij vendimi dhe a e konsideron këtë si një mesazh për zbatim të barabartë të ligjit? Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, Marin Stanevski, cilat rrethana e tejkalonin rrezikun e arratisjes për një person që kishte qenë i arratisur për 14 muaj?", - deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
BDI akuzon pushtetin: Nuk mund të sugjerojë veprimin e gjyqësorit
Ai po ashtu u bëri thirrje Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë, që në mënyrë urgjente të thërrasin seancë, ta rishikojnë këtë vendim dhe të përcaktojnë se a ka bazë për përgjegjësi për gjykatësin dhe prokurorin publik. Ndërkohë Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh pakënaqësi të thellë për kërcënimet, sipas tyre, të drejtuara ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ministri Fillkov në paraqitjen e tij të fundit publike.
“Pushteti ekzekutiv jo vetëm që nuk ka të drejtë kushtetuese të sugjerojë mënyrën e veprimit të organeve të drejtësisë, por roli i Ministrisë së Drejtësisë është pikërisht mbrojtja e integritetit dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor, veçanërisht në raste të ndjeshme, kur polarizimi politik ushtron presion të madh mbi individët brenda sistemit të drejtësisë.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
FITIM KRYEZIU
