Tetovë, alarmet e rreme për bombë shqetësojnë shkollat
Shumica e shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë....

Shumica e shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë, përsëri edhe sot kanë qenë sulm i alarmeve të rreme për bombë. Situata është shqetësuese, thotë Nazmi Dauti nga Sektori i Arsimit në Tetovë. Sipas Dautit, duhet rritur hetimet dhe të zbulohet dërguesi i e-maileve të rreme për bombë.
“E dini se në të gjitha shkollat e mesme dhe fillore ka pasur edhe dje alarm të rremë për bombë. Situata është shqetësuese dhe të gjitha institucionet përkatëse kanë ndërmarr masat e nevojshme për tejkalimin e kësaj situate. Komuna e Tetovës ka qenë në komunikim të vazhdueshëm edhe me organet e rendit dhe SPB-Tetovën. Kemi kërkuar që të merret seriozisht kjo situatë dhe të rritet prezenca e njësive të policisë, të rriten hetimet për paraqitjen e këtyre rasteve.”, - deklaroi Nazmi Dauti nga Sektori i Arsimit - Tetovë.
Dauti u bën thirrje nxënësve, por edhe mësimdhënësve që mos të largohen nga oborret e shkollave deri sa të marrin instruksione nga komuna, por edhe SPB-Tetova.
“Gjatë paraqitjes së alarmit për bombë, normalisht se organet e rendit bëjnë evakuimin e nxënësve nga objektet e shkollave dhe të njëjtët largohen nga objekti, por do të duhet të presin në oborret e shkollave deri në konfirmimin zyrtar nga themeluesi, Komuna e Tetovës dhe organet e rendit, për të vazhduar ose jo procesin edukativo-arsimor. Pasi dje dhe sot është bërë një mundësi për nxënësit, që pas evakuimit nga objektet e shkollave, ata largohen nga shkollat dhe nuk kthehen në procesin edukativo-arsimor. Ju e dini se nuk mund të humbet procesi arsimor, është mirë të presin instruksionet e organeve kompetente.”, - u shpreh Nazmi Dauti nga Sektori i Arsimit - Tetovë.
Përndryshe, ende nuk dihet se si nxënësit do t’i zëvendësojnë orët e humbura mësimore, ku dihet se vetëm në Gjimnazin e Tetovës ka pasur 15 herë alarm të rremë për bombë. (Visar Sadiku, TVM2)
