Ndërron jetë prof.Dr. Ramiz Abdyli
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër...

Pas një sëmundjeje të shkurtër, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare Prof. Dr. Ramiz Abdyli, historian i shquar dhe një nga emrat më të respektuar të botës akademike e shkencore në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, 25.02.2025, në ora 12:00, në vendlindjen e tij, në Llojan të Kumanovës.
Prof. Dr. Ramiz Abdyli shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën Normale dhe studimet universitare në Shkup, në degën e Historisë dhe Artit të Përgjithshëm.
Angazhimi i tij në arsim nisi që në vitin 1963, kur punoi si mësues në shkollën e Llojanit dhe në shkollën e Bukovikut të Shkupit. Në vitin 1970 filloi punën si mësimdhënës në gjimnazin e Kumanovës, ku përveç gjuhës shqipe, të gjitha lëndët e tjera zhvilloheshin në gjuhën maqedone.
Kjo situatë u bë shtysë për angazhimin e tij në zgjerimin e hapësirës mësimore për shqiptarët, duke kontribuar në hapjen e disa paraleleve në gjuhën shqipe në shkollat e mesme të Kumanovës.
Përveç veprimtarisë arsimore, Prof. Ramiz Abdyli dha kontribut edhe në gazetari dhe publicistikë, duke u angazhuar në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” gjatë viteve 1975–1976.
Në vitin 1978, një vit pas përfundimit të studimeve të magjistraturës në shkencat e historisë dhe katër vite para mbrojtjes së doktoratës (1982), ai u përzgjodh punonjës shkencor në Institutin e Historisë së Kosovës, ku punoi deri në vitin 1994.
Në këtë vit u transferua në Institutin e Historisë Nacionale në Shkup. Ai është autor i afro 30 veprave shkencore, disa zërave të Fjalorit Enciklopedik të Shqipërisë dhe atij të Kosovës, si dhe autor i dhjetëra artikujve shkencorë e publicistikë.
Veprat e tij mbeten referenca të rëndësishme për studimet mbi historinë e shqiptarëve në shekujt XIX–XX.
