Maqedoni

Vazhdon gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls”

25.02.2026 08:58

Sot në sallën e gjyqit në Idrizovë vazhdon procesi gjyqësor për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan...

Me dëgjimin e dëshmitarëve të rinj, me propozim të Prokurorisë, sot në sallën e gjyqit në Idrizovë vazhdon procesi gjyqësor për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.
 
Në seancat e mëparshme dëshmuan persona që kishin qenë në objekt mbrëmjen tragjike, duke përshkruar panikë dhe kaos pasi shpërtheu zjarri. Për sot është paralajmëruar dëgjimi i edhe pesë dëshmitarëve të tjerë.
 
Në fjalën hyrëse, prokurori Borçe Janev theksoi se procesi duhet të përcaktojë përgjegjësi personale dhe institucionale, duke nënvizuar se kërkohet drejtësi për tragjedinë. Të akuzuarit, nga ana tjetër, deklaruan se nuk ndihen fajtorë, duke pretenduar se posedonin dokumentacion të vlefshëm dhe se përgjegjësia qëndron në lëshime institucionale.
 
Zjarri shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një performance të grupit DNK, ndërsa sipas aktakuzës, objekti kishte funksionuar në mënyrë të paligjshme, ishte i mbingarkuar dhe ishin përdorur mjete piroteknike të ndaluara. Të akuzuar janë mbi 30 persona fizikë dhe tre persona juridikë.
 
Procesin gjyqësor e udhëheq gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa Prokuroria përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.