Maqedoni
Kuvendi do ta mbajë seancën e 89-të
25.02.2026 09:57
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot pritet ta mbajë seancën e tij të 89-të...

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot pritet ta mbajë seancën e tij të 89-të, në rendin e ditës të së cilës janë disa propozime kadrovike dhe ligjore.
Deputetët do të shqyrtojnë propozim për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Rregullator për Banesat, si dhe propozim-vendime për shpalljen e thirrjes publike për zgjedhjen e kryetarit dhe një anëtari të Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale. Parashihet edhe shpallja e thirrjes për zgjedhjen e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik, si dhe thirrje për zgjedhjen e anëtarëve në Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi dhe në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Në kuadër të seancës do të diskutohet edhe për disa ndryshime ligjore me procedurë të shkurtuar, ndër të cilat ndryshimet në ligjet për shëndetin veterinar, për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve, për deputetët, si dhe për pagat dhe kompensimet e tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar.
Në rend dite janë edhe propozim-ndryshimet e ligjeve që kanë të bëjnë me pagat e prokurorëve publikë, gjyqtarëve, anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe të Këshillit Gjyqësor, gjithashtu me procedurë të shkurtuar.
