Maqedoni

BDI: Të ndalet politizimi i rastit të Grubit, të respektohet prezumimi i pafajësisë

25.02.2026 11:40

BDI shpreh indinjatë të thellë për mënyrën se si një numër partish politike kanë politizuar rastin e Artan Grubit....

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatë të thellë për mënyrën se si një numër partish politike kanë politizuar rastin e Artan Grubit përmes deklaratave dhe paraqitjeve të tyre publike. 

“Dy ditët e fundit kemi parë se si parti politike, funksionarë të lartë dhe aktivistë të tyre kanë krijuar një klimë histerie dhe presioni publik, duke shpallur qëndrime që nënkuptojnë fajësi të parapërcaktuar. Me këtë qasje ata marrin rolin e prokurorit dhe të gjyqtarit, flasin për masa dhe pasoja, madje edhe ushtrojnë presion ndaj përfaqësuesve të gjyqësorit dhe prokurorisë, pa asnjë respektim të parimit themelor të prezumimit të pafajësisë. U bëjmë thirrje gjykatave, prokurorisë dhe të gjitha organeve kompetente që të veprojnë vetëm mbi bazën e ligjit dhe provave, duke mos lejuar që klima politike të ndikojë në punën e tyre. Pavarësia e sistemit gjyqësor është shtyllë e sundimit të ligjit dhe detyrim kushtetues, e jo çështje e interpretimeve politike. Presim që procesi të zhvillohet me respektim të plotë të prezumimit të pafajësisë, të drejtave procedurale dhe dinjitetit të çdo personi të përfshirë.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.