Botë

Spiropali e Konjufca bëjnë homazhe në Prekaz

25.02.2026 12:03

Spiropali ka nisur vizitën e saj zyrtare në Kosovë nga Prekazi...

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka nisur vizitën e saj zyrtare në Kosovë nga Prekazi, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Spiropali, së bashku me zëvendëskryeministrin e Parë dhe ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporën të Kosovës, Glauk Konjufca, kryen homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, aty ku sakrifica e një familjeje u kthye në themel të një shteti.
 
Të dy ministrat u pritën më pas në Kullën e Jasharajve, prej Bacë Rifat Jasharit. Kjo kullë, sipas Spiropalit, është dëshmi se liria ka pasur çmim dhe ai çmim është paguar me jetë.
 
“Këtu ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë e së ardhmes. Liria nuk është trashëgimi automatike. Ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë. Prekazi nuk na kërkon lot. Na kërkon që të jemi të denjë.”, shkroi Spiropali.
 
Ajo do të pritet në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti. Më pas  do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani, dhe do të mirëpritet edhe nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.