Maqedoni

Arresti shtëpiak i Grubit, institucionet gjyqësore zhvendosin përgjegjësinë

25.02.2026 14:00

Selimi vlerëson se përcaktimi eventual i përgjegjësisë për propozimin për arrestin shtëpiak të Grubit i takon Kryeprokurorisë dhe jo Këshillit....

Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Bashkim Selimi, vlerëson se përcaktimi eventual i përgjegjësisë për propozimin për arrestin shtëpiak të ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, siç e përmendi ditë më parë ministri i Drejtësisë, Fillkov, i takon Kryeprokurorisë dhe jo Këshillit. Pa hyrë në detaje të thirrjes së Fillkovit, Selimi thekson se nuk përjashtohet mundësia që çështja të diskutohet mes anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve, nëse paraprakisht paraqitet ndonjë ankesë. Megjithatë, vendimi final për përcaktimin e përgjegjësisë eventuale nuk është në duart e tyre, por në PThP. Në  pyetjen se sa e zakonshme është praktika e prokurorëve për të vendosur masën e arrestit shtëpiak për një person të kërkuar me urdhër ndërkombëtar dhe nëse kjo nuk bie ndesh me rregulla dhe norma të caktuara, Selimi u përgjigj se ky është qëndrim i Prokurorisë, e cila ka marrë vendimin, dhe ai si kryetar i Këshillit nuk mund të shtojë asgjë më tepër për këtë.
 
“Po, në media kam dëgjuar se u bë thirrje, por sipas ligjit dhe kompetencave të Këshillit të Gjyqësorit dhe të Prokurorëve, roli ynë është pak më ndryshe. Ne mund ta diskutojmë këtë çështje, por vendos Kryeprokuroria dhe Prokuroria e Lartë, ku ekziston edhe hierarkia. Si Këshill i Prokurorëve mund të diskutojmë, mirëpo diskutimi ynë është thjesht konsultativ. Ndërkohë, Prokuroria e Republikës dhe Prokurori i Lartë Publik po ndjekin çështjet konkrete, ndërsa ne punojmë vetëm mbi bazë të ankesave.”, - deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Bashkim Selimi.
 
Në ndërkohë edhe kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, thotë se nuk janë plotësuar kushtet për përcaktimin eventual të përgjegjësisë.
 
“Këshilli Gjyqësor gjithmonë po vepron sipas kompetencave ligjore dhe kur ekziston nevoja për raste konkrete. Por, duke u bazuar në kërkesën që na është drejtuar, mendoj se asnjë nga këto kushte nuk është përmbushur deri tani.”, - theksoi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
 
Ministri i Drejtësisë u bëri thirrje publike të gjithë të përgjegjshmëve për vendosjen e masës së arrestit shtëpiak për Grubin, duke theksuar se përgjegjësia për këtë vendim duhet të identifikohet me emër e mbiemër. Ai  ftoi Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë që të shqyrtojnë këtë rast dhe të vendosin nëse ekziston përgjegjësi nga ana e gjyqtarit dhe prokurorit. Fillkovi njëherësh kërkoi sqarime nga prokurori publik Daniel Kocev; drejtuesi i Prokurorisë, Anel Fidoski, dhe gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, Marin Stanevski.
 
REXHEP QAMILI