Maqedoni

Zgjerimi i BE-së në Ballkan, Bunford: Maqedonia e meriton të jetë anëtare e BE-së

25.02.2026 14:12

Maqedonia e Veriut dhe vendet e rajonit meritojnë të jenë anëtare të plota të Unionit...

Maqedonia e Veriut dhe vendet e rajonit meritojnë të jenë anëtare të plota të Unionit; Hungaria mbetet një mbështetëse e fortë e Maqedonisë së Veriut në këtë rrugë, vlerëson përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor i kryeministrit të Hungarisë (Viktor Orban), Zsolt Bunford, gjatë një takimi me nënkryetarin e Kuvendit, Antonio Milloshoski. Ai theksoi se vendi padrejtësisht prej 20 vitesh, siç u shpreh “qëndron në gardh” dhe se është e domosdoshme që procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian të përshpejtohet.
 
“Ne biseduam për shumë çështje që lidhen me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sigurisht që kemi dëgjuar shumë ide, si ajo për integrim gradual ose për një status të garantuar si vend anëtar, por pa të drejtë vote. Ajo që është e rëndësishme është të shohim se vendet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, duhet të bëhen anëtare të plota të Bashkimit Evropian. Kjo është gjithçka që mund të them për momentin. Për ne do të ishte shumë e rëndësishme që ky proces të përshpejtohet dhe vendeve t’u jepet mundësia të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Nëse bëhet fjalë për një qasje të bazuar në meritë, mendoj se Maqedonia e Veriut dhe rajoni meritojnë anëtarësim të plotë.”, - deklaroi përfaqësuesi për Ballkanin Perëndimor nga Hungaria, Zsolt Bunford.
 
Milloshovski: Hungaria jep mbështetje të pakushtëzuar
 
Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Miloshoski, theksoi se Hungaria jep mbështetje të pakushtëzuar në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe se marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve janë në nivel të shkëlqyer. Ai shtoi se tashmë ka aktivitete të shtuara për një bashkëpunim më të madh ekonomik.
 
“Hungaria është një vend që jep mbështetje të pakushtëzuar për projektin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për vendet e tjera të rajonit, të cilat, për fat të keq, po presin prej shumë kohësh në këtë proces zgjerimi, ku disa premtime u dhanë që gjatë Samitit të Selanikut në vitin 2003, por për fat të keq, shumica prej tyre nuk janë përmbushur deri më sot.”, - theksoi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Miloshoski.
 
Milloshovski dhe Bunford njoftuan se do të vazhdojnë të shkëmbejnë mendime për projekte, të cilat, siç theksuan, janë të rëndësishme për vendin, siç është hyrja e Hungarisë në tregun e telekomunikacionit, e të tjera.
 
ARMEND MURSELI