Botë

Fjalimi i Trampit: ShBA-ja në epokën e artë, rritje ekonomike dhe paralajmërim për Iranin

25.02.2026 14:30

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një hov ekonomik të paprecedentë, që sipas tij, shënon epokën e artë të vendit....

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një hov ekonomik të paprecedentë, që sipas tij, shënon epokën e artë të vendit. Kombi është rikthyer më i fuqishëm se kurrë, më i madh, më i zhvilluar, më i pasur dhe më i fortë se në çdo periudhë të mëparshme, deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë gjatë fjalimit para Kongresit. Në fjalimin maratonë për gjendjen e kombit, Donald Tramp u shpreh se administrata e tij ka ulur inflacionin, ka çuar tregjet e aksioneve në nivele rekord, ka miratuar lehtësime të rëndësishme tatimore dhe ka reduktuar çmimet e barnave. Ai kritikoi gjithashtu Gjykatën e Lartë për vendimin që ndalon vendosjen e tarifave të gjera ndaj importeve. 
 
“Gjithçka po funksiononte mirë, vendet që na mashtronin për dekada, tani po na paguajnë qindra miliarda dollarë. Edhe demokratët e dinë këtë. Dhe pastaj, vetëm katër ditë më parë, u mor një vendim i pafat nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara. Por, lajmi i mirë është se pothuajse të gjitha vendet dhe korporatat duan ta mbajnë marrëveshjen që tashmë e kanë lidhur.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp. 
 
Presidenti amerikan foli për emigracionin dhe theksoi se kufiri jugor është i sigurt. Trampi tha se po i përfundon konfliktet në botë dhe po punon me zell për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Në prag të bisedimeve në Gjenevë, lideri amerikan nuk do të lejojë që Teherani të ketë armë bërthamore.
 
“Për dekada, politika e ShBA-së ka qenë që kurrë të mos lejojë Iranin të pajiset me armë bërthamore. Që kur morën kontrollin mbi atë komb krenar para 47 vitesh, regjimi dhe ndërmjetësit e tij vrasës kanë përhapur vetëm terrorizëm, vdekje dhe urrejtje. Zgjedhja ime është që ky problem të zgjidhet përmes diplomacisë. Por, një gjë është e sigurt se kurrë nuk do të lejoj sponsorizuesin më të madh të terrorit në botë të ketë armë bërthamore.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp. 
 
Gjatë fjalimit, u mblodhën protestues në Uashington në një kundër-ngjarje “Fjalimi popullor për gjendjen e kombit”, ku morën pjesë edhe një grup deputetësh demokratë që bojkotuan fjalimin. 
 
“Ai po pasuron veten, familjen e tij, miqtë e tij. Shkalla e korrupsionit është e paprecedentë. Këtu përfshihen fshehja e dosjeve të Epsteinit, mashtrimet me kriptovaluta, shoqërimet me princa të huaj për avionë dhe me miliarderë për salla madhështore, vendosja e emrit dhe fytyrës së tij në ndërtesa në të gjithë kryeqytetin e vendit tonë. Kjo nuk është ajo që themeluesit tanë e kishin imagjinuar.”, - u shpreh guvernatorja demokrate nga Virxhinia, Abigail Spanberger. 
 
Donald Tramp vendosi rekordin për fjalimin më të gjatë mbi Gjendjen e Unionit, me kohëzgjatje prej 1 orë e 47 minutash, duke thyer rekordin e Bill Klintonit nga fjalimi i tij i fundit në vitin 2000.
 
BELINDA KOKA ADEMI