Maqedoni
Reagime politike për rastin e Grubit, VLEN: BDI në panik, po gërmohet e vërteta
25.02.2026 14:47
Vazhdojnë reagimet politike për rastin e Artan Grubit....

Vazhdojnë reagimet politike për rastin e Artan Grubit. Për Koalicionin VLEN, Grubi nuk është thjesht një i dyshuar, por “arkiva e gjallë” e një sistemi, që sipas tyre, është ndërtuar mbi pazare “nën tavolinë”. Ata vlerësojnë se Grubi posedon informacione që mund të tronditin vetë themelet e lidershipit të BDI-së.
“Institucionet kanë filluar të gërmojnë të vërtetën që BDI për vite e ka varrosur: si është ndërtuar pushteti pas shpinës së qytetarëve dhe ku kanë përfunduar paratë. Pikërisht për këtë BDI sot është në panik. Derisa Artan Grubi sheh televizor në shtëpi, në BDI mbretëron panik nga i pari deri tek i fundit.”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
VMRO: A po e mbrojnë Grubin kuadrot e LSDM-së?
VMRO-DPMNE thekson se është i dukshëm paniku në radhët e LSDM-së.
“Pasi për vite me radhë mbyllnin sytë dhe miratonin krimin milionësh të zëvendëskryeministrit të atëhershëm, Artan Grubi, tani kur ai duhet të përballet me drejtësinë, po dalin në mbrojtje të tij, Konkretisht, nënkryetarja e LSDM-së dhe ish-ministrja Jovanka Trençevska, ka deklaruar se vendimet e Qeverisë kanë qenë kolektive dhe se, nëse provohet se ka faj në këtë rast, atëherë të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi së bashku.”, - deklaroi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
BDI: Të ndalet politizimi i rastit
Nga BDI-ja ndërkohë e cilësojnë gjuhën e pushtetit si presion publik mbi gjyqësorin. Sipas BDI-së, kjo është tentativë e pushtetit ekzekutiv për të luajtur rolin e gjykatësit.
“Dy ditët e fundit kemi parë se si parti politike, funksionarë të lartë dhe aktivistë të tyre kanë krijuar një klimë histerie dhe presioni publik, duke shpallur qëndrime që nënkuptojnë fajësi të parapërcaktuar. Me këtë qasje ata marrin rolin e prokurorit dhe të gjyqtarit, flasin për masa dhe pasoja, madje edhe ushtrojnë presion ndaj përfaqësuesve të gjyqësorit dhe prokurorisë, pa asnjë respektim të parimit themelor të prezumimit të pafajësisë.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
LSDM: Skenar i përgatitur nga VMRO-ja
Për LSDM-në, dorëzimi i Grubit është pasojë e marrëveshjes VMRO-BDI.
“Cilët prokurorë vepruan në këtë lëndë dhe kush e propozoi arrestin shtëpiak për Artan Grubin? Prokuror i çështjes është Daniel Kocev, ndërsa shefi i tij në Prokurorinë e Shkupit është Anel Fidoski, i cili u zgjodh në këtë funksion më 20 janar 2026. Gjithçka është e qartë, gjithçka është e dakorduar, një skenar i menduar.”, - theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi u dorëzua më 23 shkurt në pikën kufitare të Bllacës. Atij i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
ERSAN PAJAZITI
