Rajon

Konjufca: Konsensual, presidenti nga familja Jashari

25.02.2026 15:05

Një president nga familja Jashari do të ishte një konsensus automatik në shoqërinë e Kosovës

Një president nga familja Jashari do të ishte një konsensus automatik në shoqërinë e Kosovës, ka deklaruar shefi i diplomacisë së Kosovës, njëherësh edhe zëvendëskryeministër, Glauk Konjufca.
 
“Një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë është një president nga radhët e familjes së nderuar Jashari.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca.
 
Konjufca priti Spiropalin: Takimet tona janë vëllazërore
 
Këtë prononcim, Konjufca e bëri para takimit me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, takim, i cili, siç tha ai, është vëllazëror. 
 
“Ne, ndonëse kemi Ministri të Jashtme, Shqipëria dhe Kosova nuk janë të jashtme për njëra-tjetrën. Vendet tona janë shumë më tepër dhe takimet tona janë vëllazërore dhe takime mes shteteve të të njëjtit komb që më shumë si interesa ndërshtetërore e ndajnë fatin historik dhe politik. Prandaj, kur flasim për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë nuk flasim thjesht për marrëdhënie ndërqeveritare, flasim për përgjegjësinë e dy shteteve që i përkasin të njëjtit komb, për ta përfaqësuar atë me dinjitet në koordinim të vazhdueshëm dhe me një vizion të qartë evropian.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i Kosovës, Glauk Konjufca.
 
Spiropali: Kosova meriton statusin e vendit, kandidat në BE
 
Konjufca njëherësh e përgëzoi Shqipërinë për, siç tha ai, “hapat gjigantë që i ka bërë, sa i përket integrimeve evropiane”. Sa u përket eurointegrimeve, ministrja Spiropali tha se Kosova meriton statusin e vendit kandidat, pa standarde të dyfishta dhe pa pritje të pafundme.
 
“Integrimi evropian i Kosovës është testi i koherencës së vet BE-së me vlerat që ai përfaqëson. Kosova ka dëshmuar qartësi euroatlantike, përkushtim ndaj reformave dhe stabilitet institucional. Në Evropë, që kërkon besim nga rajoni, duhet të tregojë besueshmëri në vendimmarrjen e saj. Shqipëria është në rrugën e saj të negociatave për anëtarësim në BE.”, - u shpreh ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme, e Shqipërisë, Elisa Spiropali.
 
Ministrja Spiropali gjatë qëndrimit në Prishtinë u prit edhe nga kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu dhe presidentja Vjosa Osmani Sadriu.
 
GYLTENE SINANI