Maqedoni
Seancë e re për zjarrin në Koçan, Shilegov akuzon Prokurorinë për standarde të dyfishta
25.02.2026 15:20
Gjykimi për zjarrin katastrofik në diskotekën “Puls” vazhdoi sot me dëgjimin e Goran Tonevit...

Gjykimi për zjarrin katastrofik në diskotekën “Puls” vazhdoi sot me dëgjimin e Goran Tonevit, muzikant dhe bashkëpunëtor i jashtëm i grupit DNK. Tonevi, i cili ndodhej në skenë në momentin kur shpërtheu zjarri, përpara gjykatës përshkroi momentet tmerruese të përhapjes së flakës dhe tymi i dendur që mbushte ambientin.
Avokati Petre Shilegov kërkoi që gjykata ta ndërpresë procedurën për zjarrin në Koçan, pasi, siç theksoi ai, është cenuar barazia e të akuzuarve – mes atyre që ndiqen nga Prokuroria Publike dhe policëve të akuzuar nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Gjyqtarja nuk e pranoi kërkesën, duke arsyetuar se ajo nuk mund ta urdhërojë Prokurorinë se çfarë lloj aktakuze duhet të ngrejë.
“Janë të dukshme standardet e dyfishta që në periudhën e fundit mund t’i shohim seriozisht nga ana e Prokurorisë Publike. Nuk do të ndalem te çështjet më aktuale, por te periudha konkrete. Prokuroria, e cila sipas ligjit është organ i vetëm, ka dy raste, këtë dhe atë kundër policëve që e udhëheq Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Sipas ligjit, Prokuroria është organ i vetëm, por dukshëm nuk i trajton qytetarët në mënyrë të barabartë. Kemi dallim në kualifikimin juridik për këta persona dhe në kualifikimin juridik për rastin që e udhëheq Prokuroria. Një disproporcion i tillë është diskriminim dhe ajo që po bën Prokuroria është shpërdorim i detyrës zyrtare nga disa prokurorë.”, - deklaroi avokati, Petre Shilegov.
Nga ana tjetër, prindërit e viktimave me ngulm kërkojnë gjykim të drejtë dhe përgjegjësi.
“Si është e mundur që Ministria e Ekonomisë të japë licencë për kabare, kur më parë nuk ka pasur ndryshim të destinimit të tokës? Praktikisht ata japin leje për shfrytëzimin e kabaresë, ndërkohë që objekti ka qenë i destinuar vetëm si sallon për qilima, depo për qilima. Këtë askush prej tyre nuk e thotë dhe vetëm e spekulojnë opinionin publik. Prokuroria e ka të qartë, ka 200 gigabajt prova dhe nuk ka pse të zvarritet çështja. Le të vazhdojë procedura siç duhet, gjyqtarja le ta udhëheqë procesin.”, - theksoi prindi, Aleksandar Naunov.
Me dëshmitë e pesë dëshmitarëve të Prokurorisë vazhdoi procesi gjyqësor për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 220 të tjerë u plagosën.
Për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme po gjykohen 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Seanca e mëparshme u shty, pasi i pandehuri i katërt, pronari i objektit, ishte në trajtim spitalor.
ARMEND MURSELI
