Rajon
Shembet ura e Dragostunjës në Librazhd, nis ndërtimi i rrugës provizore drejt Juglindjes
25.02.2026 15:37
Në Librazhd nisi sot shembja e urës 30-vjeçare të Dragostunjës në aksin Librazhd–Pogradec...

Në Librazhd nisi sot shembja e urës 30-vjeçare të Dragostunjës në aksin Librazhd–Pogradec, pas dëmtimeve të rënda të shkaktuara nga rrëshqitja e tokës.
Paralelisht ka nisur edhe devijimi i rrjedhës së lumit Shkumbin aty ku pritet të kalojë një rrugë provizore që të hapë sërish qarkullimin me Juglindjen.
Kreu i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Afrim Qendro, deklaroi se shembja nuk ka ardhur si pasojë e shfrytëzimit të inerteve në lumë.
“Sasia e inerteve dhe procesi tjetër nuk janë përgjegjësi e IKMT-së, por është AMBU (Agjencia e Mbrojtjes se Burimeve Ujore), që merret me këtë punë. Pika e shfrytëzimit është me leje dhe në pozicionin e caktuar nga institucioni përkatës.”, - deklaroi Afrim Qendro nga IKMT.
Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, njoftoi rritjen e fondit të investimeve për projekte parandaluese në 47 bashki për të vendosur prita përgjatë lumenjve.
“8 milionë euro do të shkojnë për projekte që janë në zbatim, si diga, prita lumore, ura dhe rehabilitim i infrastrukturës së dëmtuar. Ndërsa 10 milionë euro do të jenë në dispozicion të bashkive për projekte të reja, me procesin e alokimit që nis këtë javë.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu.
Buxheti do të shpërndahet mbi bazën e hartës së riskut dhe planifikimit inxhinierik, me synim forcimin e infrastrukturës parandaluese dhe menaxhimin më të mirë të emergjencave natyrore.
Duke e cilësuar rrëshqitjen e rrugës ekzistuese si fatkeqësi natyrore, Vengu garantoi se Korridori VIII po ndërtohet me punime të cilësisë së lartë, duke përfshirë rrugën dhe hekurudhën ndërkombëtare.
LULJETA NDOKA
