Maqedoni

Përfaqësuesit e OSBE-së, Bateli dhe Notele, takojnë Veljanovskin

04.06.2015 17:47

Kriza politike solli në Shkup edhe përfaqësuesin special të OSBE-së për Evropën Juglindore, Roberto Batelin, dhe përfaqësuesin e OSBE-së në Vjenë, Andreas Notele...

Ata takuan kryeparlamentarin, Trajko Veljanovski, me të cilin biseduan mbi zhvillimet aktuale në Maqedoni dhe epilogun e mundshëm që do të dilte nga kjo situatë.
 
Nuk janë lënë pa u prekur as përpjekjet e kuvendit mbi përmbushjen e reformave për fillim sa më të shpejtë të bisedimeve për anëtarësim të vendit në BE dhe NATO.
 
Përfaqësuesi special i OSBE-së për Evropën Juglindore, Bateli, ka theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes që u arrit midis liderëve të partive politike me eurokomisionerin Han. Bateli ka kërkuar që të merren parasysh edhe vërejtjet për listën zgjedhore, me qëllim të shmangies së spekulimeve të shumta në të ardhmen.
 
E nevojshme, sipas Batelit, është që të punohet në kthimin e besimit në institucione, ndërsa ky është momenti kyç për arritjen e këtij synimi. 
 
Ndërkohë, kryeparlamentari Veljanovski ka përshëndetur marrëveshjen e arritur midis liderëve, duke shpresuar se së shpejti kuvendi do të fillojë të funksionojë me kapacitet të plotë për funksionimin normal të shtetit. 
 
Bashkëbiseduesit janë dakorduar që debati politik të zhvillohet në kuvend, ndërsa të gjithë faktorët relevant të japin kontributin e tyre pozitiv për përmirësimin e klimës politike në vend.
 

MERAL ISMAILI