Botë

Frika për konflikt ushtarak, ShBA-ja dhe Irani do të takohen sot

26.02.2026 10:54

Zyrtarët amerikanë dhe iranianë pritet ta zhvillojnë një raund të ri bisedimesh bërthamore në Gjenevë më 26 shkurt...

Zyrtarët amerikanë dhe iranianë pritet ta zhvillojnë një raund të ri bisedimesh bërthamore në Gjenevë më 26 shkurt, që shihet si përpjekja e fundit për ta shmangur një konflikt të madh ushtarak midis dy vendeve armike.

Raundi i tretë i bisedimeve pritet të ndodhë në një kohë kur presidenti amerikan, Donald Tramp, po shqyrton mundësitë për veprim ushtarak, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje për ta frenuar programin bërthamor të Iranit. ShBA-ja i ka vendosur tashmë dy aeroplanmbajtëse pranë republikës. Gjatë bisedimeve, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Irani ta ndalojë plotësisht pasurimin e uraniumit dhe të heqë dorë nga rezervat e tij prej rreth 400 kilogramësh uranium të pasuruar, hapa që do ta pengonin Teheranin të zhvillojë armë bërthamore.
 
Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore dhe civile, si prodhimi i energjisë elektrike. Irani ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të bëjë lëshime në këmbim të heqjes së sanksioneve amerikane dhe njohjes së të drejtës së tij për të pasuruar uranium.
 
Bisedimet në Gjenevë vijnë pas kërcënimeve të përsëritura nga Trampi për veprim ushtarak kundër Teheranit, fillimisht për shkak të shtypjes brutale të protestave masive në janar, dhe më pas, së fundmi, për programin bërthamor të vendit. Fuqitë botërore arritën marrëveshje historike bërthamore me Teheranin në vitin 2015 për ta parandaluar zhvillimin e ndonjë bombe iraniane. Sanksionet ekonomike perëndimore u lehtësuan në atë kohë, por Irani filloi të tërhiqej nga angazhimet pasi Trampi, gjatë mandatit të tij të parë si president, u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosi sanksionet.