Botë

Rikthimi i dhunës në Ukrainë, shqetëson BE-në dhe SHBA-të

04.06.2015 18:01

Perëndimi ka shprehur alarm për përshkallëzimin e dhunës në lindje të Ukrainës dhe i ka bërë thirrje Rusisë që të veprojë për të ulur tensionet...

Bashkimi Evropian ka thënë se përleshjet e djeshme midis forcave qeveritare të Ukrainës dhe rebelëve pro-rusë, pranë qytetit Marinka, “mund të çojnë në një spirale të re të dhunës dhe vuajtjes”.
 
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, po ashtu ka paralajmëruar Moskën se e ardhmja e sanksioneve kundër Rusisë do të varet nga zbatimi i marrëveshjes për armëpushim.
 
Në anën tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se çdo përpjekje e forcave rebele për të pushtuar territor tjetër të Ukrainës do të ketë kosto të re.
 
Por, Rusia ka akuzuar Kievin se ka rënduar tensionet në lindje të Ukrainës.
 
“Pala ukrainase ka marrë hapa që t’i përkeqësojë tensionet shumë herë para disa ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare"- tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Reagimet vijnë pas njoftimeve se pesë ushtarë ukrainas janë vrarë dhe 39 të tjerë janë plagosur gjatë luftimeve të djeshme.