Maqedoni
Strugë, Qyra raporton për 100 ditë qeverisje
26.02.2026 13:51
Qyra ka raportuar për 100 ditët e para të qeverisjes së tij...

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka raportuar për 100 ditët e para të qeverisjes së tij, duke i cilësuar ato si një periudhë me shumë sfida dhe angazhim të madh.
“Brenda tre muajve kemi arritur ta reduktojmë borxhin për rreth 250.000 euro. Kemi ndërprerë shpenzimet e panevojshme. Nga mbi 11 000 euro që kishte reprezentacionin Ramiz Merko vitin e kaluar – sot kjo shumë është zero. Nëse në janarin e 2025 shpenzimet për karburant ishin mbi 2.000 euro, janarin e këtij viti ky shpenzim ishte rreth 1.000 euro. Çdo shpenzim është rishikuar, gati se çdo kontratë është analizuar. Në të njëjtën kohë, kemi punuar për të rritur të hyrat komunale nga taksat, si nga personat fizikë ashtu edhe nga ato juridikë. Pra, kemi vepruar në dy drejtime: kursim dhe rritje të të hyrave.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
Qyra bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë realizuar disa punë të rëndësishme për qytetin, me qëllim përmirësimin e kushteve për qytetarët.
“Por, këto 100 ditë nuk kanë qenë vetëm për stabilizim financiar. Kanë qenë ditë pune intensive në terren; është zgjidhur problemi i ndriçimit publik; janë hequr barrierat horizontale nga bulevardi i qytetit, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve; janë pastruar kanalet kulluese, një aksion jetik që bëri të mundur shmangien e përmbytjeve; janë intensifikuar punimet për ndërrimin e gypave të azbestit dhe punët ndërtimore në qytet; janë adaptuar trotuaret për personat që lëvizin me karrocë; kemi siguruar 8.300 shporta dhe 5 kamionë donacion nga Ministria e Mjedisit, një cisternë për pastrimin e rrugëve dhe dy kamionë donacion nga UNDP; donacion privat prej 1.300 fidane për gjelbërimin e qytetit; kemi iniciuar shitjen e “Audisë së famshme”.”, - theksoi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
Në mesin e projekteve të cilat vijojnë të realizohen, Qyra veçoi edhe rrugën Misleshovë–Trebenishtë, përgatitjen e dokumentacionit teknik për ndërtimin e çerdhes së re, punimet që 80% e rrugës turistike të përfundojë para sezonit dhe ndërtimin e rrugës dhe shtegut për ecje dhe biçikleta nga AS Kampi deri te Sateska, etj.. Në përfundim, kryetari Qyra u shpreh i përkushtuar që të vazhdojë me projekte dhe angazhime të reja, duke premtuar zhvillim dhe menaxhim më të mirë për komunën në të ardhmen.
FITORE ISTREFI
