Rajon

Jasharajt nuk synojnë postin e presidentit, partitë në kërkim të presidentit konsensual

26.02.2026 14:11

Anëtarë të familjes Jashari i thanë jo propozimit që dikush nga kjo familje të zgjidhej president...

Anëtarë të familjes së heroit të Kosovës, Adem Jashari, i thanë jo propozimit të partive politike, që dikush nga kjo familje të zgjidhej në postin e presidentit të Kosovës. Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, ka deklaruar se nuk ka interesim për t’u bërë president i Kosovës, dhe se këtë ua ka bërë të qartë partive politike. Edhe Bekim Jashari, më pas tha se ai mban qëndrimin e njëjtë me djalin e axhës, se nuk kanë ambicie për postin e presidentit. Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga skadimi i afatit për zgjedhjen e presidentit, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se pushteti nuk i ka numrat që vet ta zgjedh presidentin, prandaj është në koordinim edhe me partitë opozitare. 
 
“Ajo mazhorancë që është prej 66 numrave në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ne jemi bindur që nuk ka mundësi përmes një emri që propozohet, një emër i njëanshëm, ta marrim edhe votën e garantuar të opozitës për t’i bërë 80 vota.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Glauk Konjufca.
 
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, thotë se Kosovës nuk i bën mirë një president i njëanshëm. 
 
“Kemi thënë që vendit i bën nder dhe PDK-ja e mbështet dikë që nuk e përfaqëson vetëm një parti politike, nuk e përfaqëson vetëm pozitën apo vetëm opozitën, por dikë që përfaqëson edhe pozitën edhe opozitën, por edhe qytetarët që realisht nuk e votojnë presidentin direkt. Dikush që ka reputacion e integritet edhe vendor dhe ndërkombëtar dhe dikush që ka kontribute e është intelektual, që i bën nder edhe shtetit të Kosovës dhe qytetarëve.”, - theksoi Arian Tahiri nga PDK.
 
Për një president të pranueshëm, edhe për opozitën angazhohet edhe LDK-ja. Kosovës i duhet ta zgjedhë presidentin e ri të vendit deri më 4 mars, për t'i shmangur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pasi presidentes aktuale Vjosa Osmani, i përfundon mandati më 4 prill. Osmani ka shprehur ambicie për t’u rizgjedhur në postin e presidentes, por nuk duket ta ketë mbështetjen e partive parlamentare Vetëvendosje, PDK, LDK dhe AAK.
 
GYLTENE SINANI