Botë

Përplasje diplomatike në Gjenevë, ShBA-ja dhe Irani në raundin vendimtar të bisedimeve

26.02.2026 14:34

Raundi i tretë dhe kyç i negociatave mes Iranit dhe ShBA-së në Gjenevë bëhet me ndërmjetësimin e Omanit...

Raundi i tretë dhe kyç i negociatave mes Iranit dhe ShBA-së në Gjenevë bëhet me ndërmjetësimin e Omanit. Uashingtoni këmbëngul që udhëheqja në Teheran të ndalojë zhvillimin e armëve bërthamore. Sipas autoriteteve amerikane, refuzimi i Iranit për të diskutuar programin e raketave balistike është një problem i madh që duhet të zgjidhet dhe përbën kërcënim për stabilitetin rajonal. 
 
“Parimi është shumë i thjeshtë. Irani nuk mund të ketë armë bërthamore. Nëse përpiqen të rikthejnë programin e armëve bërthamore, kjo na shkakton probleme. Në fakt, kemi parë prova se janë përpjekur të bëjnë pikërisht këtë. Prandaj, presidenti po dërgon ata negociatorë për t’u përpjekur ta zgjidhin këtë problem. Siç e përsërit vazhdimisht presidenti, ai dëshiron ta zgjidhë këtë çështje në mënyrë diplomatike, por sigurisht që ka edhe opsione të tjera.”, - deklaroi zëvendëspresidenti i ShBA-së, J.D. Vance. 
 
“Në fund të fundit, të gjithë duhet të flasim për diçka më shumë sesa vetëm programin bërthamor. Por, nëse nuk mund të arrihet përparim as në programin bërthamor, do të jetë e vështirë të arrihet përparim edhe për raketat balistike.”, - theksoi sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio. 
 
ShBA-ja vendosi sanksione të reja ndaj Iranit, duke goditur më shumë se 30 subjekte dhe individë të lidhur me të ashtuquajturën “flota në hije” – një rrjet tankerësh që transportojnë naftë iraniane, me qëllim shmangien e kufizimeve të vendosura më parë. Qeveria iraniane shprehu gatishmëri për të kufizuar programin bërthamor, ndërsa në këmbim kërkon heqjen e sanksioneve perëndimore. 
 
“Jemi të gatshëm të largojmë shqetësimet, por nuk jemi të gatshëm të heqim dorë nga e drejta jonë për përdorim paqësor të teknologjisë bërthamore.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abas Araghçi. 
 
Presidenti i parlamentit iranian ishte i prerë: ShBA-ja mund të zgjedhë ose diplomacinë, ose të përballet me zemërimin e Iranit. 
 
“Të gjitha opsionet janë në tryezë. Si diplomacia e ndershme, ashtu edhe një përgjigje mbrojtëse që do ta detyrojë armikun të pendohet për sulmin e tij. Nëse zgjidhni rrugën e diplomacisë, ku respektohen dinjiteti dhe interesat e ndërsjella të Iranit, ne do të qëndrojmë në tryezë. Por, nëse vendimi juaj është të përsërisni përvojën e fundit përmes mashtrimit, gënjeshtrave, analizave të gabuara dhe informacioneve të rreme dhe të uleni në tryezën e negociatave, atëherë pa dyshim do të ndjeni goditjen e fortë të kombit iranian dhe forcave tona mbrojtëse dhe me siguri do të pendoheni për atë zgjedhje.”, - u shpreh kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohamad Bagher Galibaf.
 
Zyrtarët amerikanë gjatë periudhës së fundit kanë shtuar praninë ushtarake duke zhvendosur avionë dhe anije në Lindjen e Mesme. Irani paralajmëroi se në rast sulmi, të gjitha bazat ushtarake amerikane në rajon do të konsiderohen objektiva legjitime.
 
BELINDA KOKA ADEMI